Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka bërë të ditur se po vazhdojnë punimet për ndërtimin e rrugës unazore në Junik.
Projekti, me vlerë mbi 437 mijë euro, financohet plotësisht nga Qeveria e Kosovës dhe realizohet në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit me Komunën e Junikut.
Sipas projektit, punimet përfshijnë gërmimet, punët e betonit, ndërtimin e kanaleve dhe vendosjen e gypave, si dhe asfaltimin e rrugës.
Po ashtu, parashihet ndërtimi i ujëmbledhësve, vendosja e sinjalizimit horizontal dhe vertikal, si dhe instalimi i pajisjeve elektrike, përfshirë ndriçimin sipas standardeve evropiane.
Ministria ka theksuar se angazhimi për zhvillimin e komunave dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve do të vazhdojë.

