Mër. Gus 5th, 2026

Detaje nga Prokuroria për ish Ministrin Liburn Aliu

Prokuroria Speciale e Kosovës ka konfirmuar se ka intervistuar ish-ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu, si të dyshuar.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ju njofton se i pandehuri L.A., është intervistuar në kuadër të veprimeve hetimore, lidhur me veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare””, ka thënë zëdhënësja e këtij institucioni, Arbnora Luta.

Sipas Lutës, për shkak të fazës së procedurës, nuk mund të ndahen më shumë informacione mbi rastin.

Aliu pas intervistimit u deklarua për gazetarët e pranishëm, duke thënë se “asgjë nuk më ndërlidh me këtë proces” dhe tha se ka punuar “sipas ligjit”.

“Është lehtësim që pas dy vitesh heshtje pata mundësinë me ardhur edhe me e sqaruar pak situatën para prokurorisë për gjithë atë sulm dhe pretendim të vazhdueshëm ndaj meje i cili ka degradua aq shumë, por që unë i jam përgjigj me heshtje deri tani. Pata mundësinë me e sqarua që për gjithë procesin, për gjithë periudhën sa unë kam qenë ministër, kam veprua në përputhje pikërisht me ligjin. Kam veprua sipas rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Nuk ka asnjë vendim i cili mundet me u ndërlidhë mu me këtë proces. Po ashtu, për pretendimin për mosveprim, i tërë rasti ka qenë i audituar nga Zyra Kombëtare e Auditimit dhe ka pas rekomandime dhe është veprua në bazë të rekomandimeve. Ka pas auditim të brendshëm, ka pas edhe hetim, i cili e qartëson shumë qartë pozitën e ministrit si staf politik karshi punës në administratë. Ka qenë një rast i mirë që pata mundësinë ta sqaroj nga fillimi deri në fund gjithë punën dhe tani jam i lehtësuar”, tha ai.

Postime të Ngjashme