Driton Gojani është zgjedhur kryesues i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), pas procedimit të kandidaturës së tij për këtë pozitë në Kuvendin e Kosovës.
Gojani ishte njëri nga dy kandidatët e propozuar për pozitën e kryesuesit të Bordit, së bashku me ish-kryesuesin Ymer Fejzullahu. Kandidaturat e tyre ishin përkrahur nga Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion, i cili i kishte proceduar për shqyrtim në Kuvend.
Emërimi i kryesuesit vjen në një periudhë kur Bordi i ZRRE-së ka pasur mungesë të kuorumit. Sipas ZRRE-së, për marrjen e vendimeve kërkohet pjesëmarrja e së paku tre anëtarëve të Bordit. Mungesa e kuorumit kishte kufizuar vendimmarrjen për një sërë çështjesh rregullative, përfshirë licencimin, autorizimet, ankesat e konsumatorëve dhe vendimet për tarifat e energjisë elektrike.
Për pozitën e kryesuesit, procesi i rekrutimit kishte përfshirë disa kandidatë, ndërsa intervistat ishin zhvilluar gjatë muajit gusht. Në listën e kandidatëve të intervistuar ishin Ymer Fejzullahu, Petrit Pepaj, Bekim Jakupi, Petrit Krasniqi dhe Driton Gojani.
Në procesin e votimit morën pjesë 69 deputetë.
Gojani siguroi 62 vota, ndërsa kundërkandidati Ymer Fejzullahu mori 7 vota.
Bordi i ZRRE-së përbëhet nga pesë anëtarë, ndërsa kryesuesi dhe anëtarët e tij emërohen nga Kuvendi i Kosovës. Mandati i secilit anëtar është pesëvjeçar, me mundësi të emërimit edhe për një mandat tjetër.
Me funksionalizimin e Bordit pritet të rikthehet edhe vendimmarrja e plotë e ZRRE-së për çështjet që janë në kompetencë të këtij institucioni.

