Kuvendi i Kosovës dështoi ta zgjedhë presidentin e ri, ani pse seanca për këtë u thirr katër herë gjatë ditës së djeshme.
Sipas aktvendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, Kosova shkon në zgjedhje të parakohshme, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 45 ditë.
Afati i përcaktuar nga Kushtetuesja për zgjedhjen e presidentit deri më 28 prill erdhi pasi më 5 mars Lëvizja Vetëvendosje paraqiti dy kandidatura para deputetëve të Kuvendit: Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxhën, pasi mes Kurtit dhe PDK-së e LDK-së nuk ishte arritur ujdi për një emër të pranueshëm.
Në mungesë të kuorumit, seanca ishte ndërprerë. Një ditë pas, ish-presidentja Vjosa Osmani nxori dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, teksa mbajti edhe takim me partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme, por në këtë takim nuk mori pjesë partia në pushtet. Osmani e arsyetoi këtë dekret, duke thënë se 5 marsi ishte afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të ri, pasi mandati i saj përfundon më 4 prill.
Dekretin e Osmanit, Lëvizja Vetëvendosje e dërgoi në Kushtetuese, duke e konsideruar pa bazë, pasi procedurat për zgjedhjen e presidentit kishin nisur më 5 mars dhe se kishte kohë 60 ditë për përfundimin e procesit. Kosova presidentin e zgjedh me dy të tretat e votave në dy rundet e para ose me 61 vota në rundin e tretë, por seanca mund të mbahet vetëm nëse në sallë janë së paku 80 deputetë.
Partitë opozitare nuk i përkrahën dy kandidaturat e Vetëvendosjes, por kërkuan marrëveshje politike ose një emër të pranueshëm për të gjithë.
Mandat të dytë synoi vetë Osmani, por nuk u mbështet nga partitë. Një emër i përmendur si i pranueshëm për të gjitha partitë ishte dikush nga familja Jashari, por edhe pse iu ofrua ky post, Murat Jashari nuk e pranoi.
Gjykata Kushtetuese, në aktvendimin e saj, konstatoi se presidentja Osmani nuk ka bërë shkelje kushtetuese, por caktoi afat prej 34 ditësh për zgjedhjen e presidentit të ri, ose Kuvendi të shpërbëhet.
Më shumë se një muaj, sa Kushtetuesja dha afat për zgjedhjen e presidentit, nuk u arrit asnjë marrëveshje. Mbrëmjen e 27 prillit, deputetët e shumicës, ndonëse pa kuorum në sallë, tentuan të zgjidhnin presidentin, duke tërhequr dy kandidatët Glauk Konjufcën dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçakun, e duke nxjerrë dy kandidatura të reja, Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën.
Kjo u kundërshtua ashpër nga opozita, të cilët e quajtën “puç kushtetues”, ndërsa nuk morën pjesë në asnjë seancë, as më 27 e as më 28 prill.
Kreu i Vetëvendosjes, pas dy përpjekjeve për zgjedhjen e presidentit, i kërkoi LDK-së 15 nënshkrime dhe një emër si kundërkandidat ndaj Feride Rushitit, duke garantuar se LDK-së do t’i jepte 15 nënshkrime, por pa garantuar edhe votat për kandidatin e saj.
Ofertën e Kurtit, LDK e cilësoi vetëm si përpjekje për kuorum, që Rushitin ta bënte presidente.
Pas dështimit të katër përpjekjeve të partisë në pushtet për zgjedhjen e presidentes së saj, kryeministri në detyrë Albin Kurti, me kandidaten Rushiti, në konferencën e fundit në mesnatë tha se ishte bërë përpjekje për marrëveshje, por pa sukses.
Partitë opozitare e akuzuan për përqendrim të kontrollit në institucionet shtetërore, duke thënë se me skadimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit u shmang shkelja e Kushtetutës.
“Përpjekjet për të imponuar një proces të njëanshëm dhe jashtë kornizës kushtetuese dështuan. Institucionet e Republikës dhe rendi kushtetues u mbrojtën. Pushteti aktual mban përgjegjësinë kryesore për krizën e krijuar, si shkaktar i krizave të njëpasnjëshme politike, i keqqeverisjes dhe i abstenimit nga përgjegjësitë ndaj shtetit dhe qytetarëve. PDK kërkon nga ushtruesja e detyrës së presidentes që të caktojë datën e zgjedhjeve brenda afateve kushtetuese, duke garantuar një proces të rregullt, të lirë dhe demokratik”, është thënë nga PDK.
Pas shpërbërjes së Kuvendit, Kosova shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen jo më larg se 45 ditë. Afatet rrjedhin prej sot më 29 prill.

