Policia e Republikës së Kosovës ka realizuar një tjetër aksion kundër kontrabandës në zonën kufitare me Serbinë, ku është sekuestruar një sasi e madhe duhani që dyshohet se po hynte ilegalisht në vend.
Sipas njoftimit zyrtar, më 28 prill 2026, në kuadër të planit operativ “Gatishmëria vepruese 2026” dhe pas informatave operative të siguruara në bashkëpunim me Njësitin e Hetimeve të Stacionit Policor në Kamenicë, njësitet e Policisë Kufitare kanë ndërmarrë aksion të shpejtë dhe të koordinuar në fshatin kufitar Novosellë, Komuna e Kamenicës.
Gjatë operacionit, policia ka lokalizuar dhe ndaluar një automjet VW Golf 5, me ngjyrë të zezë dhe targa të Vranjës, i drejtuar nga personi me inicialet B.R., shtetas i Serbisë, i lindur në vitin 1967 dhe me vendbanim në Serbi.
Sipas dyshimeve të para, ai kishte depërtuar ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës me qëllim transportimin e mallrave të kontrabanduara.
Pas kontrollit të detajuar të veturës, zyrtarët policorë kanë zbuluar dhe sekuestruar: 310 pako duhan, nga 500 gramë secila, me peshë totale rreth 155 kilogramë, 41 paketime të zbrazëta, të gatshme për tregtim ilegal
Policia dyshon se kjo sasi duhani ishte destinuar për tregun ilegal, me qëllim shmangien e procedurave doganore dhe përfitim të kundërligjshëm financiar.
Të gjitha veprimet janë kryer në koordinim me prokurorin kompetent, ndërsa rasti po hetohet nga njësitet përkatëse të Policisë Kufitare – NJHR Jugu.
Policia e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin në luftën kundër kontrabandës, krimit ndërkufitar dhe çdo aktiviteti ilegal që cenon sigurinë dhe rendin juridik të vendit.

