Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ukë Rugova, ka deklaruar se kryetari aktual i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, nuk e ka të lehtë drejtimin e LDK-së, duke marrë parasysh trashëgiminë politike të ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Duke komentuar zhvillimet e fundit brenda partisë dhe përplasjet verbale ndërmjet kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe Lumir Abdixhikut, Rugova ka vlerësuar se këto diskutime janë pjesë e demokracisë së brendshme të LDK-së.
Ai ka rikujtuar se zgjedhjet e rregullta partiake pritet të mbahen në nëntor të vitit të ardhshëm, kur edhe do të bëhet e qartë nëse Abdixhiku do të synojë vazhdimin e drejtimit të partisë apo do të ketë kandidatura të tjera.
Rugova ka theksuar se LDK-ja ka një traditë të gjatë demokratike dhe se gara ndërmjet kandidatëve nuk është diçka e pazakontë për këtë subjekt politik.
I pyetur nëse do ta mbështeste Lumir Abdixhikun apo Përparim Ramën në një garë të mundshme për kryetar, ai nuk ka dhënë një përgjigje konkrete, duke thënë se për këtë çështje do të vendosë kur të afrohet koha e zgjedhjeve.
Sa i përket punës së Abdixhikut, Rugova ka shprehur mirëkuptim për vështirësitë që sjell udhëheqja e një partie me historinë dhe trashëgiminë e LDK-së, veçanërisht pas periudhës kur ajo drejtohej nga Ibrahim Rugova.
Ai ka bërë thirrje për bashkëpunim ndërmjet strukturave partiake, duke theksuar se, pavarësisht garës për drejtimin e LDK-së, angazhimi i përbashkët duhet të jetë në funksion të avancimit të proceseve dhe të mirës së Kosovës.
Ndërkohë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, gjatë muajit tetor kishte shprehur gatishmërinë për ta marrë drejtimin e LDK-së, duke deklaruar se për këtë çështje kishte biseduar edhe me Abdixhikun dhe anëtarë të tjerë të partisë.
Rama kishte theksuar kontributin e tij në forcimin e LDK-së në kryeqytet, duke përmendur se pas 12 vjetësh kjo parti ishte renditur e para në Prishtinë.
Nga ana tjetër, Abdixhiku i kishte cilësuar diskutimet e tilla si të nivelit të ulët për politikën e Kosovës.
Kujtojmë se Lumir Abdixhiku ishte rizgjedhur kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës më 30 korrik, duke marrë 170 vota.

