Mër. Sht 9th, 2026

Sot vendoset për “53-milionëshin”, pritet aktgjykimi ndaj Pal Lekajt dhe tre të akuzuarve

Gjykata Themelore në Prishtinë pritet ta shpallë sot aktgjykimin ndaj ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, dhe tre të akuzuarve të tjerë në rastin e njohur si “53-milionëshi”.

Përveç Lekajt, në këtë rast akuzohen edhe ish-këshilltari i tij politik, Eset Berisha, ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatri, si dhe ish-drejtori i Prokurimit Publik në këtë ministri, Besim Tahiri.

Çështja gjyqësore është në rigjykim, pasi Gjykata e Apelit, në shkurt të vitit 2025, e anuloi aktgjykimin e mëparshëm të Gjykatës Themelore dhe e ktheu rastin në rivendosje.

Në gjykimin e parë, Pal Lekaj ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me 3 vjet e 8 muaj burgim, si edhe me ndalim prej 3 vjetësh e 6 muajsh për ushtrimin e funksioneve në administratën publike.

Ndërkaq, Eset Berisha ishte dënuar me 3 vjet e 3 muaj burgim dhe me ndalim të ushtrimit të funksioneve publike për 3 vjet. Nebih Shatri dhe Besim Tahiri ishin dënuar me nga 1 vit e 8 muaj burgim dhe me nga 2 vjet ndalim të ushtrimit të funksioneve në administratën publike.

Megjithatë, këto dënime u anuluan nga Gjykata e Apelit dhe nuk përbëjnë vendim përfundimtar. Për këtë arsye, sot pritet një vendim i ri nga Gjykata Themelore, pas përfundimit të rigjykimit.

Në seancën e fundit, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës qëndroi pranë aktakuzës dhe kërkoi që Lekaj dhe të akuzuarit e tjerë të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. Prokuroria kërkoi gjithashtu shqiptimin e dënimeve plotësuese, përfshirë ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën publike.

Nga ana tjetër, mbrojtja i kundërshtoi pretendimet e prokurorisë dhe kërkoi lirimin e të akuzuarve nga akuzat.

Gjatë fjalës së fundit, Pal Lekaj deklaroi se është i pafajshëm. Gjatë rigjykimit, ai është mbrojtur në heshtje.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale lidhet me pagesën shtesë prej 53 milionë e 100 mijë eurosh ndaj kompanisë “Bechtel & Enka”, për zgjatjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi”, në segmentin Prishtinë–Hani i Elezit.

Sipas pretendimeve të prokurorisë, Lekaj dhe të akuzuarit e tjerë, në cilësinë e personave zyrtarë, kanë tejkaluar kompetencat dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare gjatë trajtimit të marrëveshjes për zgjatjen e afatit të punimeve për 347 ditë.

Prokuroria pretendon se marrëveshja ishte nënshkruar pa përcaktuar koston financiare, duke i krijuar mundësi kompanisë që fillimisht të kërkonte rreth 63 milionë euro.

Pas negociatave, kjo shumë ishte ulur në 53 milionë e 100 mijë euro dhe më pas ishte aprovuar për pagesë nga Qeveria e Kosovës.

Sipas aktakuzës, veprimet e të akuzuarve dyshohet se i kanë shkaktuar buxhetit të Kosovës dëm në vlerë prej mbi 38 milionë eurosh, krahasuar me rreth 14.7 milionë euro që ishte rekomanduar nga kompania mbikëqyrëse “Hill International”.

Postime të Ngjashme