Me pjesëmarrjen e familjarëve, kolegëve, hoxhallarëve të shumtë nga të gjitha anët e Kosovës, si dhe të një numri të madh besimtarësh, sot, në varrezat e fshatit Bardh i Madh, u varros profesori, njëherësh ish-drejtori i Medresesë së Mesme “Alauddin” në Prishtinë, prof. Bahri ef. Simnica.
Në ceremoninë e varrimit, të pranishmit kujtuan jetën dhe veprën e të ndjerit, duke vlerësuar kontributin e tij të çmuar në shërbim të fesë, arsimit dhe edukimit të shumë gjeneratave, si dhe përkushtimin e tij ndër vite në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës.
Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, shpalosi kujtime nga puna dhe bashkëpunimi me Bahri efendiun përgjatë dyzet vjetëve. Ai theksoi se i ndjeri, fillimisht si imam, më pas si profesor e drejtor i Medresesë së Mesme “Alauddin”, i shërbeu fesë dhe arsimit islam me ndershmëri, përkushtim dhe përgjegjësi të lartë.
Myftiu Tërnava vlerësoi lart angazhimin e tij në edukimin dhe arsimimin e gjeneratave të nxënësve, duke nënvizuar se puna dhe veprimtaria e Bahri ef. Simnicës do të mbeten pjesë e rëndësishme e kujtesës institucionale të Bashkësisë Islame të Kosovës. Ai theksoi se njerëzit që ia kushtojnë jetën dijes, edukimit dhe shërbimit ndaj komunitetit lënë gjurmë që vazhdojnë të jetojnë edhe pas ndarjes së tyre nga kjo botë.
Për jetën dhe veprën e profesorit Bahri ef. Simnica folën edhe drejtori i Medresesë së Mesme “Alauddin” në Prishtinë prof. Ekrem ef. Maqedonci, ndërsa të emër të Komunës së Fushë Kosovës fjalë rasti mbajti kryesuesi i Kuvendit Komunal të Fushë-Kosovës, z. Vlonjat Hasani, të cilët vlerësuan kontributin e tij në arsim, edukim dhe në jetën fetare e shoqërore.
Ata theksuan rëndësinë e punës së tij shumëvjeçare, përkushtimin ndaj detyrës dhe rolin që pati në formimin e shumë gjeneratave të nxënësve. Po ashtu, vlerësuan figurën e tij si një personalitet që me punën, urtësinë dhe përgjegjësinë e dëshmuar ndër vite la gjurmë te bashkëpunëtorët, nxënësit dhe të gjithë ata që patën rastin ta njohin, duke potencuar se kontributi i tij në shërbim të fesë dhe dijes, si dhe gjurmët që la në edukimin e gjeneratave, do të mbeten një trashëgimi e çmuar.
Namazit të xhenazes i priu djali i prof. Bahri ef. Simnicës, Adem ef. Simnica.
Allahu i Madhërishëm e mëshiroftë prof. Bahri ef. Simnicën, ia faltë gabimet, ia pranoftë veprat e mira dhe e shpërbleftë me Xhenet!

