Avokati Edmond Petraj kërkon nisjen e një hetimi për protestat e dhunshme në Shqipëri, duke theksuar se Prokuroria e Posaçme duhet të kishte qenë në terren dhe të kishte ngritur grupet e punës për të hetuar ngjarjet dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore.
“Prokuroria e Posaçme duhet të ishte në terren, të mblidhte grupet e punës, sepse Tirana është në kaos për të gjithë. Duhet të fillonin betejën ligjore duke marrë volumin e shtetit dhe institucioneve, si janë zbatuar detyrat. Atyre qytetarëve që u humbi pasuria duhet të mbajnë përgjegjësi juridike dhe Prokuroria e Posaçme. Është detyrë morale që të nisë një hetim për të gjithë personat.
Jemi përballë nenit 221, që parashikon goditjen ndaj uniformave dhe Policisë së Shtetit, zjarrin ndaj godinave shtetërore, shkatërrimin e pronës private e publike, djegien e pronës. Përmblidhen me kryengritje. Hetimi duhet të fillojë, Tirana është e të gjithëve.
Masat e dënimit shkojnë deri në burgim të përjetshëm. Për ata që kanë bërë thirrje për dhunë, janë 15–25 vite burg. Siç ndodhi në Greqi. Agimi i Artë, në disa protesta, bëri thirrje për dhunë dhe kreu edhe kryengritje e plaçkitje. Dogjën institucionet dhe Gjykata Kushtetuese i nxori jashtë ligjit.”

