Ardian Gjini njoftoi se Aleanca sot ka themeluar shkollën politike.
“Sa i përket zhvillimeve të fundit politike në vend, analizuam me kujdes situatën aktuale dhe ritheksuam se do të vazhdojmë të jemi opozitë qendrore për këtë pushtet, duke mbrojtur me ngulm interesat e qytetarëve dhe shtetit tonë. Në këtë kuadër, përsëritëm shqetësimin tonë të thellë për gjendjen e rënduar energjetike në vend, ku vetëm gjatë muajit shtator Kosova ka importuar 27 milionë euro rrymë, duke kapur një shifër alarmante prej mbi 1 miliard eurosh të shpenzuara për import për më pak se gjashtë vjet. Për të kërkuar llogari direkte për këtë keqmenaxhim, Grupi Parlamentar i Aleancës do të thërrasë interpelancë në Kuvend” shkroi Gjini.
Ky është njoftimi i plotë i tij:
Shkolla politike e Aleancës, ishte një ndër vendimet e para që u jetësua sot në mbledhjen e radhës të kryesisë.
Bashkë me kolegët, diskutuam gjatë për këtë projekt dhe kjo do të jetë një nga nismat tona që do të na fuqizojë duke krijuar një hapësirë të shkëlqyer për edukimin politik të gjeneratave të reja dhe përgatitjen e liderëve të ardhshëm, e cila do të udhëhiqet nga nënkryetari i parë i Aleancës, Besnik Tahiri.
Përveç këtij hapi të rëndësishëm, gjatë takimit morëm vendime edhe për pika të tjera, siç është lansimi i ueb-faqes së re zyrtare të Aleancës. Kjo platformë e re digjitale do të jetë adresa kryesore ku qytetarët mund të informohen në kohë reale për çdo aktivitet dhe projekt tonin.
Po ashtu, u dakorduam për vazhdimin e angazhimit dinamik në terren.
Sa i përket zhvillimeve të fundit politike në vend, analizuam me kujdes situatën aktuale dhe ritheksuam se do të vazhdojmë të jemi opozitë qendrore për këtë pushtet, duke mbrojtur me ngulm interesat e qytetarëve dhe shtetit tonë. Në këtë kuadër, përsëritëm shqetësimin tonë të thellë për gjendjen e rënduar energjetike në vend, ku vetëm gjatë muajit shtator Kosova ka importuar 27 milionë euro rrymë, duke kapur një shifër alarmante prej mbi 1 miliard eurosh të shpenzuara për import për më pak se gjashtë vjet. Për të kërkuar llogari direkte për këtë keqmenaxhim, Grupi Parlamentar i Aleancës do të thërrasë interpelancë në Kuvend.
Gjithashtu, trajtuam edhe temën e Ligjit për Gjykatën Speciale, ku ritheksuam se qëndrimi i Aleancës ka qenë gjithmonë i sinqertë, i qëndrueshëm dhe në mbrojtje të vlerave të luftës tonë çlirimtare.

