Kianoush Rostami ka shkëlqyer për Kosovën në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, duke i siguruar vendit dy medalje të argjendta në peshëngritje.
Peshëngritësi iranian, i cili përfaqëson Kosovën, fitoi medaljen e argjendtë në shkëputje dhe atë në shtytje, duke e çuar Kosovën në kuotën e nëntë medaljeve të fituara në këto Lojëra Mesdhetare.
Menjëherë pas garës, Rostami u shpreh tejet i lumtur me suksesin, duke ia dedikuar medaljet popullit të Kosovës.
“Jam shumë i lumtur që mora këtë medalje në shkëputje, medalje argjendi, dhe në shtytje, medalje argjendi. Jam shumë i lumtur që e fitova këtë medalje për Kosovën dhe thjesht dua t’u them njerëzve të Kosovës, kjo medalje është vetëm për popullin e Kosovës sepse janë njerëz shumë të mirë dhe me zemër shumë të madhe, dhe më mbështesin”, tha fillimisht Rostami.
Kampioni olimpik iranian tashmë ka vendosur objektivat e radhës. Ai synon rezultate të mëdha në Kampionatin Botëror që zhvillohet pas rreth një muaji e gjysmë në Kinë, ndërsa objektivi madhor mbetet medalja olimpike.
“Pas një muaji e gjysmë kam Kampionatin Botëror në Kinë. Aty duhet të bëj gjëra të mira, punë shumë të mirë, që hap pas hapi të ngjitem më lart. Sepse kam dy vite para Lojërave Olimpike dhe jam i fokusuar shumë mirë te peshëngritja. Jam këtu duke pritur të marr një medalje olimpike. Nëse jo, nuk jam vetvetja. Unë dua dhe do ta marr”, shtoi ai.
Me dy medaljet e Rostamit, Kosova tashmë numëron nëntë medalje në “Taranto 2026”, duke vazhduar paraqitjen e suksesshme në këto Lojëra Mesdhetare.

