Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëherit, kryetari i komisionit parlamentar për legjislacion, Vigan Qorolli, ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, e cila dyshohet se u vra nga kunati i saj.
Duke iu referuar letrës së shkruar nga Arlinda, Qorolli ka shprehur dhimbjen për rastin, duke theksuar se ajo kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet, por nuk arriti ta shpëtonte jetën e saj.
“Tani ajo duhet të japë llogari, para ligjit dhe para zotit, pse e “lejoi ligjërisht” vrasjen e saj! Tani, ndërsa po e lexoj amanetin e Arlindës, po qaj. Po qaj për Arlindën, për frikën që mund ta ketë ndier, për ditët kur ka pritur ndihmë, për shpresën që e ka mbajtur gjallë, ndërsa kërkonte mbrojtje. Po qaj për faktin se një njeri mund ta shtrijë dorën drejt Prokurorisë dhe prapëseprapë të mos arrijë ta shpëtojë jetën e vet.Nuk mund ta kthejmë kohën pas. Nuk mund t’ia kthejmë jetën Arlindës”.
“Por nuk guxojmë ta lejojmë që zëri i saj të shuhet bashkë me të. Sa herë duhet të kërkojë një grua ndihmë, që të ketë të drejtën të jetojë e sigurt? Arlinda, më dhemb që nuk je më. Më dhemb që kjo letër ka mbetur dëshmi e asaj që kërkove dhe që duhej ta kishe pasur: mbrojtjen. Le të mos jetë dhimbja jote e kotë. Le të bëhet kujtesë, ndërgjegje dhe përgjegjësi. Sepse asnjë grua nuk duhet të vdesë pasi ka kërkuar të jetojë”, shkroi mes tjerash qorolli.

