Partitë politike shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja kanë dorëzuar listën e përbashkët për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të Serbisë.
Lista vjen pas marrëveshjes së arritur mes subjekteve politike shqiptare nga Lugina e Preshevës, të cilat kanë vendosur të garojnë së bashku në zgjedhjet e 25 tetorit.
Marrëveshja për bashkëpunim ishte arritur më 29 shtator në Prishtinë, në një takim ku morën pjesë përfaqësues të partive shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja. Lista është emërtuar “Koalicioni Shqiptar”.
Në këtë bashkëpunim janë përfshirë tetë subjekte politike shqiptare. Mes tyre janë Partia për Veprim Demokratik, Alternativa për Ndryshim, Partia Demokratike, Partia Demokratike e Shqiptarëve, Lëvizja për Progres Demokratik, Lëvizja e Reformës, Alternativa Shqiptare dhe Unioni Demokratik Shqiptar.
Formimi i listës së përbashkët synon një përfaqësim të unifikuar të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës në Kuvendin e Serbisë, ndërsa marrëveshja mes partive përcakton edhe bashkëpunimin e tyre gjatë procesit zgjedhor dhe pas zgjedhjeve.

