Forca të shtuara të Policisë së Kosovës dhe ekipe të zjarrfikësve janë vendosur në hapësirat përreth Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, ndërsa qytetarë të shumtë vazhdojnë të qëndrojnë para institucioneve.
Tubimi po zhvillohet në kohën kur protestuesit po kërkojnë nga deputetët miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Qytetarët kanë nisur të mblidhen që nga mbrëmja e së dielës, në kuadër të iniciativës “Jo në emrin tim”. Ndërkohë, në orën 09:00 pritet të nisë seanca plenare e Kuvendit, ku në pikën e parë të rendit të ditës është projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Në të njëjtën kohë, para Kuvendit është paralajmëruar edhe protesta e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e cila pritet t’i bashkohet zhvillimeve rreth institucionit ligjvënës.

