Hën. Tet 5th, 2026

Tre të dyshuar ndalohen në Suharekë, policia sekuestron drogë dhe mjete për paketim

Policia e Kosovës ka ndaluar një automjet në Suharekë, ku gjatë kontrollit janë gjetur substanca të dyshuara narkotike dhe pajisje që dyshohet se janë përdorur për përpunimin dhe paketimin e tyre.

Rasti ka ndodhur më 3 tetor, rreth orës 18:00. Sipas raportit policor, në automjet ndodheshin tre meshkuj kosovarë.

Gjatë kontrollit, policia ka sekuestruar 25.86 gramë marihuanë dhe 0.83 gramë kokainë, si dhe dy peshore, një grinder, një brisk dhe 63 qese të vogla që dyshohet se shërbenin për paketimin e narkotikëve.

Si prova materiale janë marrë edhe tre telefona celularë dhe një shumë parash të gatshme.

Pas intervistimit dhe me vendim të prokurorit, dy nga të dyshuarit janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje, ndërsa personi i tretë është liruar dhe ndaj tij rasti do të vazhdojë në procedurë të rregullt.

“Suharekë / 03.10.2026 – 18:00. Është ndaluar një veturë në të cilën ndodheshin tre të dyshuar meshkuj kosovarë dhe gjatë kontrollit tek të njëjtit janë gjetur dhe sekuestruar: 25.86 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, 0.83 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, dy peshore për matjen e substancave narkotike, një grinder për bluarjen e marihuanës, një brisk dhe 63 qese të vogla që shërbejnë për paketimin e narkotikëve. Po ashtu në cilësi të provave materiale nga të dyshuarit janë sekuestruar: 3 telefona celularë dhe para të gatshme. Me vendim të prokurorit pas intervistimit dy nga të dyshuarit janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje, ndërsa njëri prej të dyshuarve është liruar në procedurë të rregullt.”, thuhet në raportin e policisë.

Postime të Ngjashme