Mar. Gus 25th, 2026

Myftiu Naim ef. Tërnava,pret në takim një delegacion nga Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfeve të Republikës së Turqisë

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur në takim një delegacion nga Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfeve të Republikës së Turqisë, të kryesuar nga z. Halil Ibrahim Sezer, së bashku me një grup studentësh hafëzë, të cilët po qëndrojnë në Kosovë për një vizitë studimore.

Në fillim të takimit, Myftiu Tërnava u uroi mirëseardhje delegacionit dhe studentëve hafëzë, duke shprehur kënaqësinë për vizitën e tyre në Kosovë dhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet institucioneve të të dyja vendeve.

Gjatë takimit, Myftiu Tërnava i njohu mysafirët me punën dhe angazhimet e Bashkësisë Islame të Kosovës, me organizimin e jetës fetare në vend, si dhe me kontributin e institucionit në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave fetare, kulturore dhe kombëtare.
Nga ana e tij, z. Halil Ibrahim Sezer e falënderoi Myftiun Tërnava për pritjen, duke vlerësuar marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e mirë ndërmjet institucioneve të vakëfeve të Turqisë dhe Bashkësisë Islame të Kosovës.

Studentët hafëzë, të cilët janë pjesë e kësaj vizite studimore në kuadër të projektit “Ëndërro, zbulo, dhuro vakëf”, gjatë qëndrimit në Kosovë do të vizitojnë qendra dhe vende të ndryshme të vendit. Përmes këtyre vizitave, ata do të kenë mundësi të njihen nga afër me historinë, kulturën dhe trashëgiminë e Kosovës, si dhe me pasurinë e saj fetare, historike dhe kulturore.

Programi i vizitës përfshin edhe njohjen me institucione dhe objekte të rëndësishme të trashëgimisë islame në Kosovë, duke u dhënë studentëve mundësinë të mësojnë më shumë për historinë e Islamit në vend dhe për rolin që institucionet fetare kanë pasur ndër breza në ruajtjen e vlerave shpirtërore dhe kulturore.

Në këtë takim u vlerësua rëndësia e vizitave të tilla studimore për forcimin e lidhjeve ndërmjet të rinjve, studentëve dhe institucioneve fetare të Kosovës dhe Turqisë, si dhe për shkëmbimin e përvojave në fushën e arsimit, vakëfit dhe veprimtarisë fetare.
Në fund të takimit, Myftiu Tërnava u dëshiroi delegacionit dhe studentëve hafëzë qëndrim të këndshëm dhe të suksesshëm në Kosovë, duke shprehur shpresën që vizita e tyre të jetë një mundësi e mirë për njohje, shkëmbim përvojash dhe forcim të mëtejshëm të bashkëpunimit.

Postime të Ngjashme