Boksierja kosovare Donjeta Sadiku ka nisur me fitore paraqitjen e saj në Kampionatin Evropian të boksit, që po zhvillohet në Sofje të Bullgarisë.
Sadiku, e cila garon në kategorinë deri në 60 kilogramë, shënoi fitore bindëse me rezultat 5:0 ndaj boksieres nga Rusia, Alina Pushkar, duke dominuar duelin nga fillimi deri në fund, shkruan Indeksonline
Boksierja kosovare zhvilloi një paraqitje të sigurt dhe të kontrolluar në të tri raundet, duke kombinuar teknikën, ritmin dhe saktësinë në goditje.
Momenti vendimtar i duelit erdhi në raundin e dytë, kur Sadiku arriti ta detyrojë gjyqtarin në ring të numërojë nokdaun ndaj boksieres ruse, duke konfirmuar epërsinë e saj në këtë përballje.

