Një tjetër futbollist i talentuar me prejardhje shqiptare mund të mos e përfaqësojë më Zvicrën në arenën ndërkombëtare. Bëhet fjalë për 20-vjeçarin Lutfi Dalipi, i cili, sipas raportimeve të mediumit zviceran “Blick”, ka vendosur të mos luajë për përfaqësuesen “helvetike”, duke synuar që në të ardhmen të përfaqësojë Kosovën ose Shqipërinë.
Sipas raportimit, 20-vjeçari dëshiron të luajë për njërën nga dy përfaqësueset shqiptare, ndërsa thuhet se vendimi i tij lidhet edhe me një premtim që ia kishte bërë gjyshit, se një ditë do të përfaqësonte Kosovën ose Shqipërinë.
Për talentin e tij ka folur edhe përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin, gjatë publikimit të listës së futbollistëve të ftuar.
“Është një lojtar i ri dhe interesant, i cili ka tërhequr vëmendjen me statistikat e tij. Megjithatë, përderisa kemi kaq shumë lojtarë në dispozicion në mesfushën qendrore, do të jetë e vështirë për të që të depërtojë në këtë skuadër”, ka deklaruar Yakin.
Trajneri zviceran ka shtuar se nuk mund t’i lënë jashtë futbollistët e afirmuar vetëm për të mbajtur në skuadër një lojtar të ri me shtetësi të dyfishtë.
Ndërkohë, vendimi i Dalipit mund të shpjegojë edhe mungesën e tij në grumbullimin e fundit të Zvicrës U21, të drejtuar nga Alex Frei.
Pas Leon Avdullahut dhe Albian Hajdarit, Dalipi mund të jetë emri i radhës që zgjedh të ardhmen ndërkombëtare larg Zvicrës. Mbetet të shihet nëse destinacioni i tij përfundimtar do të jetë Kosova apo Shqipëria

