Hën. Gus 24th, 2026

Arianit Elshani:Po i përmirësojmë kushtet në çdo shkollë të Kryeqytetit

Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës po vazhdon me investime në disa objekte shkollore të kryeqytetit, përfshirë renovime, përfundimin e projekteve të nisura më herët dhe krijimin e hapësirave të reja sportive.

Drejtori i Arsimit, Arianit Elshani, ka bërë të ditur se në Shkollën “Abdyl Frashëri” po vazhdojnë punimet me mbështetjen e BERZH-it. Projekti përfshin ndërrimin e dritareve, vendosjen e mbështjellësit termik dhe ndërhyrje në kulm, ndërsa punimet tashmë kanë hyrë në fazën përfundimtare.

“Abdyl Frashëri” është shkollë profesionale ku nxënësit përgatiten në fusha si Teknologjia Ushqimore, Veterinaria dhe Agrobiznesi.

Punime janë duke u zhvilluar edhe në Shkollën “Iliria”, ku po bëhet zëvendësimi i dritareve, termoizolimi i objektit dhe sanimi i kulmit. Sipas Drejtorisë së Arsimit, këto ndërhyrje synojnë përmirësimin e kushteve për nxënësit dhe mësimdhënësit, si dhe rritjen e efikasitetit të objektit.

Ndërkohë, ka rifilluar edhe projekti për ndërtimin e shkollës së re “Gjin Gazulli”, punimet në të cilën kishin qenë të ndërprera që nga nëntori i vitit të kaluar. Elshani ka bërë të ditur se synimi është që objekti të përfundojë në mënyrë që nxënësit ta nisin vitin e ri shkollor në shkollën e re.

Investime të reja janë planifikuar edhe në Shkollën “Pavarësia”, në lagjen “Muharrem Fejza”. Aty parashihet realizimi i një terreni sportiv multifunksional, i cili do të jetë në dispozicion të nxënësve dhe komunitetit të lagjes.

Sipas Elshanit, përmirësimi i infrastrukturës shkollore mbetet një prej prioriteteve të Drejtorisë së Arsimit, ndërsa puna po vazhdon në disa shkolla të kryeqytetit.

Postime të Ngjashme