Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Aleancës shkuan edhe sot në sallën e Kuvendit të Kosovës për të kërkuar vazhdimin e seancës konstituive.
Në fjalimin që mbajti këtu, deputetja e PDK-së, Sala Jashari, tha se nëse qytetarët duan ta shohin si duket një shtet që nuk funksionon, duhet parë vetëm shkollat dhe zhvillimet rreth fillimit të mësimti në to, teksa kritikoi Ministrinë e Arsimit për faktin se ende nuk ka qartësi për tekstet dhe prindërit ende po përballen me pasigurinë për librat e fëmijëve të tyre.
Ajo tha se edhe këtë vit ekziston rreziku që fëmijët të mos i kenë të gjitha tekstet që u duhen në ditën e parë të shkollë.
Jashari kritikon MAShTI-n: Nëse doni ta shihni si duket një shtet që s’funksionon, shihni shkollat
“Dhe nëse doni të shihni se si duket një shtet që nuk funksionon, mos shkoni larg. Vetëm shikoni shkollat. Jemi vetëm pak ditë larg 1 shtatorit dhe prindërit ende përballen me pasigurinë për librat e fëmijëve të tyre. Ndërsa ekziston rreziku që edhe këtë vit fëmijët të mos i kenë të gjitha tekstet që u duhen në ditën e parë të shkollës. Dhe këtu dua të ndalem, sepse ishte krejtësisht ndryshe kur unë vetë kam qenë nxënëse në shkollat e Kosovës. Ne i kishim librat në ditën e parë”, tha Jashari, raporton KosovaPress.
Tutje, Jashari u shpreh se Kosova është ndërtuar mbi vlera, besim, bashkëpunim e përgjegjësi, teksa shtoi se ky është thelbi i demokracisë.
Ajo i kërkoi Lëvizjes Vetëvendosje që t’i respektojë ato.
Jashari: Kosova u ndërtua mbi bindjen se askush s’mund ta ndërtojë shtetin vetëm
“Kosova është ndërtuar mbi vlera, është ndërtuar mbi besim, mbi bashkëpunim, mbi përgjegjësi, mbi bindjen se askush nuk mund ta ndërtojë shtetin vetëm. Dhe ky është thelbi i demokracisë. Prandaj sot, nuk po ju kërkojmë të hiqni dorë nga mandatet që ju kanë dhënë qytetarët. Po ju kërkojmë t’i respektoni ato. Kthehuni përgjegjësisë. Kthehuni institucioneve. Kthehuni punës. Sepse Kosova ka nevojë për më shumë besim mes duarve që punojnë për të dhe Kosova definitivisht nuk ka kohë për pritje. Faleminderit shumë”, tha ajo.
Ndërsa, deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu tha se Lëvizja Vetëvendosje i ka uzurpuar zyrat dhe po e keqpërdorin buxhetin e çdo institucioni, duke shkelur, sic shtoi, ligj e Kushtetutë.
Haxhiu tha se sot janë bërë 17 ditë që kur afati për konstituimin e Kuvendit ka rrjedhë dhe po kaq kohë që deptuetët e VV-së po i cenojnë aktet dhe dokumentet më të rëndësishme juridike të vendit.
Haxhiu: Deputeti Kurti, ky uzurpues serik, po vazhdon ta mbajë të bllokuar kuvendin.
“Sot janë bërë 17 ditë që kur afati për konstituimin e Kuvendit të Kosovës i paraparë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese ka rrjedhur e megjithatë për 17 ditë me radhë deputetët e Vetëvendosjes dhe vartësit e tyre kanë uzurpuar zyrat e qeverisë, zyrën e presidentes dhe gjithçka tjetër duke shkelur ligje e Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Deputeti i betuar Kurti, ky uzurpues serik i institucioneve shtetërore vazhdon ta mbajë të bllokuar institucionin më të lartë ligjvënës, Kuvendin e Republikës, duke u pamundësuar deputetëve të kryejnë detyrat dhe obligimet, për çka kanë marrë edhe besimin e qytetarëve. Kosova sot po përballet me një krizë të rëndë institucionale, ku Kuvendi nuk është i konstituuar, qeveria nuk është e formuar”, tha ajo, raporton KosovaPress.
Tutje, Haxhiu tha se në këtë situatë politike, përgjegjësia bie mbi atë që i ka fituar votat më të shumta, teksa dha një arsye pse Kurti, sipas saj, nuk po i formon institucionet.
Haxhiu: Kurti s’po i formon institucionet pasi nuk di e nuk do
“Në këtë situatë papërgjegjësia politike bie normal mbi atë që i ka fituar votat e që është Albin Kurti dhe partia e tij. Për të formuar institucionet të cilat ai nuk po i formon ngase nuk dinë dhe nuk duan. Pra mos me ditë dhe mos me dashtë është një shembull jo i mirë, por është shembulli më i keq që mundet me i ndodhë këtij vendi”, tha ajo.

