Ali Ahmeti, ka përcjellë një mesazh me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, duke vënë theksin te rëndësia e lirisë, pluralizmit, dialogut dhe barazisë në një shoqëri demokratike.
Ahmeti tha se demokracia nuk duhet të shihet vetëm si një sistem institucionesh apo si proces zgjedhor, por si një marrëdhënie e qëndrueshme mes shtetit dhe qytetarit, ku liria, dinjiteti dhe barazia duhet të jenë të panegociueshme.
“Demokracia është, mbi të gjitha, testi më i lartë i pjekurisë politike”, ka shkruar Ahmeti.
Sipas tij, në një shoqëri të karakterizuar nga diversiteti, demokracia nuk kërkon uniformitet, por krijon hapësirë për dallimet dhe i jep pluralizmit dinjitet institucional.
Ahmeti theksoi gjithashtu se demokracia duhet të jetë kulturë e shoqërisë dhe standard i institucioneve, strukturave politike dhe proceseve vendimmarrëse.
“Paqja e qëndrueshme ndërtohet mbi demokraci, ndërsa demokracia e qëndrueshme ndërtohet mbi respektin, dialogun dhe barazinë”, u shpreh ai.
Duke iu referuar zhvillimeve në rajon dhe Evropë, Ahmeti tha se përgjigjja ndaj sfidave të kohës duhet të jetë më shumë demokraci, dialog dhe maturi në vendimmarrje.
“Kjo është rruga që na afron me Evropën”, përfundoi Ahmeti

