Të dërguarit e Donald Trump, Jared Kushner dhe Steve Witkoff, folën pas takimit me Volodymyr Zelenskyn në Dublin.
Kushner dhe Witkoff mbërritën në Dublin direkt nga Moska, pas bisedimeve me Vladimir Putinin.
Siç kemi raportuar më herët, zhvillimi kryesor atje ishte dakordësia e Putinit që vendet evropiane të marrin pjesë në bisedimet e ardhshme të paqes.
Para kësaj, të dërguarit amerikanë morën pjesë në bisedime trepalëshe paqeje në Abu Dabi, në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Kushner e cilësoi finalizimin e shkëmbimit të të burgosurve si një “arritje shumë të rëndësishme”.
Ai foli gjithashtu për bisedën me Putinin, duke thënë se presidenti rus është “të paktën i gatshëm” “ta provojë” mundësinë që kombet evropiane t’u bashkohen bisedimeve të paqes.
“Njerëzit dëshirojnë që kjo luftë të marrë fund”, shtoi Kushner, duke theksuar se “potenciali i Ukrainës është i jashtëzakonshëm”.
“Po bëhet përparim i konsiderueshëm”, shtoi Kushner, lidhur me garancitë e sigurisë për Ukrainën në rast se lufta përfundon.
Megjithatë, ai nuk dha detaje të mëtejshme se çfarë nënkupton saktësisht kjo.
E Steve Witkoff, i dërguari tjetër i Trump-it, shtoi: “Presidenti Trump është i vendosur të marrë drejtimin për t’i dhënë fund kësaj lufte”.
Ai shtoi gjithashtu: “Kemi planifikuar një takim tjetër”.

