Mar. Nën 3rd, 2026

Gjyqtari e kap për fytyre lojtarin, por KF Peja nuk e fajëson: Nuk është ashtu siç duket në pamje!

KF Peja ka reaguar zyrtarisht pas incidentit të raportuar në ndeshjen kampionale të Superligës U17, ndërmjet KF Peja dhe QS Prishtina, ku gjyqtari kryesor Armend Pjetri u pa në pamjet e publikuara duke kapur në fytyrë një futbollist të skuadrës pejane.

Përmes një komunikate zyrtare, klubi pejan ka kundërshtuar mënyrën se si është raportuar rasti në disa portale dhe rrjete sociale, duke pretenduar se pamjet e publikuara nuk e paraqesin të plotë atë që ka ndodhur në fushën e lojës.

Sipas versionit të KF Pejës, situata ka qenë ndryshe nga ajo që është interpretuar në publik. Klubi ka bërë të ditur se, bazuar në deklarimin e kapitenit të skuadrës pas ndeshjes, biseda ndërmjet tij dhe gjyqtarit ka qenë si vijon:

“Armendi më tha: Kapiten, qetësohu, se ta jap kartonin e verdhë edhe ty që po proteston”, thuhet në komunikatën e klubit, duke iu referuar rrëfimit të kapitenit.

KF Peja ka theksuar se, po të kishte ndodhur diçka ndryshe nga ajo që është sqaruar në komunikatë, vetë klubi do të ishte i pari që do të reagonte.

Në reagim, klubi ka shprehur gjithashtu vlerësim për gjyqtarin Armend Pjetri, duke thënë se e njeh prej kohësh dhe e konsideron korrekt, të drejtë dhe me qasje të përshtatshme ndaj futbollistëve të rinj.

“E vërteta duhet të sqarohet mbi bazën e fakteve, e jo të pretendimeve në rrjetet sociale”, thuhet ndër të tjera në reagimin e KF Pejës.

Klubi ka bërë thirrje për maturi dhe përgjegjësi në publikimin e informacioneve, veçanërisht kur bëhet fjalë për futbollin e të rinjve, ku sipas tij, prioritet duhet të jenë edukimi, respekti dhe zhvillimi sportiv i futbollistëve

Postime të Ngjashme