Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka zhvilluar një takim në Berlin me Ministrin e Shtetit për Evropën në Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Gunther Krichbaum.
Në fokus të takimit ishte procesi i integrimit evropian të Kosovës, me theks të veçantë në marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Gjatë takimit, Zulfaj theksoi se Kosova ka shënuar progres të konsiderueshëm demokratik dhe ekonomik gjatë dekadës së fundit, duke vlerësuar se ky progres duhet të reflektohet me hapa konkretë në procesin e zgjerimit të BE-së, mbi bazën e meritave.
Postimi i plotë:
Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, zhvilloi një takim përmbajtësor në Berlin me Ministrin e Shtetit për Evropën në Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, z. Gunther Krichbaum, ku në qendër të diskutimit ishte marrja e statusit të vendit kandidat për Kosovën dhe hapja e negociatave për anëtarësim.
Kryenegociatori theksoi se Kosova ka shënuar progresin më të madh demokratik dhe ekonomik në Ballkanin Perëndimor gjatë dekadës së fundit. Ky progres duhet të përkthehet në hapa konkretë në procesin e zgjerimit të BE-së, përmes një vlerësimi të drejtë dhe të bazuar në merita.
Megjithatë, pozita aktuale e Kosovës në procesin e anëtarësimit nuk e pasqyron këtë progres. Gati katër vjet pas dorëzimit të aplikimit, Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa statusin e vendit kandidat.
Mungesa e vendimmarrjes së BE-së për statusin kandidat bie ndesh me premtimin e dhënë në Samitin e Selanikut dhe me deklaratat e njëpasnjëshme të BE-së për perspektivën e Kosovës për anëtarësim në BE.
Në këtë kontekst, Kryenegociatori theksoi se është e rëndësishme që Gjermania, si vend kyç i Bashkimit Evropian, të luajë rol aktiv që BE-ja ta marrë këtë vendim.
Ai e falënderoi ministrin Krichbaum për bashkëbisedimin e hapur.

