Kombëtarja e Kosovës në hendboll në konkurrencën e meshkujve javën e ardhshme nis rrugëtimin në kualifikimet për Kampionatin Evropian 2028.
Sipas njoftimit të Federatës së Hendbollit të Kosovës, përfaqësuesja e drejtuar nga selektori Jesper Ostlund ndeshjen e parë kualifikuese do ta zhvillojë në udhëtim ndaj Ishujve Faroe, të mërkurën në Torshavn, me fillim nga ora 20:00.
Dardanët do të udhëtojnë drejt Ishujve Faroe të hënën, ndërsa po atë mbrëmje do ta zhvillojnë edhe stërvitjen e parë në prag të kësaj përballjeje.
Kosova bën pjesë në Grupin 4, së bashku me Hungarinë dhe Malin e Zi. Pas ndeshjes së parë, përfaqësuesja jonë do të luajë para tifozëve vendas kundër Hungarisë, më 8 nëntor, në arenën “Bill Clinton” në Ferizaj, nga ora 17:15. Kjo përballje do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK.
Në Kampionatin Evropian kualifikohen dy skuadrat e para të secilit grup, si dhe katër kombëtaret më të mira që përfundojnë në vendin e tretë, nga tetë grupet gjithsej.

