Korporata Energjetike e Kosovës, në vijim të njoftimit për ndaljen e kontrolluar të njësisë B2 të TC Kosova B, bën me dije se aktivitetet për sanimin e defektit janë duke u zhvilluar me dinamikë të përshpejtuar.
Sipas vlerësimeve aktuale dhe dinamikës së punimeve, sanimet pritet të përfundojnë deri të dielën në mbrëmje, ndërsa rikthimi i njësisë B2 në operim parashihet të realizohet mëngjesin e së hënës, më 26 tetor 2026.
KEK-u vlerëson të nevojshme të sqarojë se defektet teknike janë dukuri që mund të paraqiten në çdo termocentral në botë, përfshirë edhe termocentralet me teknologji shumë më të re se ato që operojnë në Kosovë.
“Prandaj, paraqitja e një ndaljeje të kontrolluar teknike si “kolaps energjetik”, e shoqëruar me prognoza për humbje milionëshe, pa të dhëna dhe analiza të verifikuara, nuk i kontribuon informimit të drejtë dhe objektiv të opinionit publik.
Është veçanërisht shqetësuese që, në vend të vlerësimit të përpjekjeve të jashtëzakonshme të punonjësve, të krijohen narrativa alarmuese që mund të relativizojnë punën, sakrificën dhe përkushtimin e tyre” thuhet në komunikatën e KEK-u.
Mes të tjerash, në njoftim thuhet:
“Duhet rikujtuar se prapa çdo megavati të prodhuar qëndrojnë punonjës, inxhinierë dhe profesionistë të cilët, 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, në kushte shpeshherë të vështira teknike dhe operative, angazhohen me përgjegjësi të lartë për të siguruar vazhdimësinë e prodhimit të energjisë elektrike për vendin tonë.
Janë pikërisht këta punonjës që, me përvojën, dijen dhe përkushtimin e tyre të përditshëm, mbajnë në funksion kapacitetet prodhuese të KEK-ut dhe kontribuojnë drejtpërdrejt në sigurinë energjetike të Kosovës.
KEK-u mirëpret çdo kritikë konstruktive dhe interesim legjitim të publikut e të mediave, por konsideron se çështjet e ndjeshme që lidhen me prodhimin dhe sigurinë energjetike duhet të trajtohen me përgjegjësi, profesionalizëm dhe mbi bazën e fakteve të verifikuara.
Përkushtimi i punonjësve tanë meriton respekt dhe mirënjohje, jo spekulime që krijojnë shqetësim të panevojshëm te qytetarët.
KEK-u mbetet plotësisht i përkushtuar ndaj operimit të sigurt dhe të qëndrueshëm të kapaciteteve prodhuese, ndërsa për rikthimin e njësisë B2 në operim, opinioni publik do të njoftohet me kohë”.

