Pre. Tet 23rd, 2026

Ardian Gjini kritikon Qeverinë për raportet me aleatët, kërkon sqarime për dialogun strategjik me SHBA-në

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka drejtuar kritika ndaj Qeverisë së Kosovës për mënyrën se si po i menaxhon marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, duke kërkuar shpjegime për arsyet që, sipas tij, kanë bërë që Kosova të trajtohet si bashkëfajtore për zhvillimet në rajon.

Gjini ka theksuar se Serbia mbetet pengesa kryesore për përparimin e Ballkanit, ndërsa e ka cilësuar si fatkeqësi faktin që kancelari gjerman i ka përmendur Kosovën dhe Serbinë së bashku në këtë kontekst.

“Është fatkeqësi me ardh puna me thanë kancelari gjerman që Serbia dhe Kosova, me i përmend të dyja. Kjo është fatkeqësia, kemi ardh në këtë moment. E vërteta është që Serbia është ajo që po e ndal Ballkanin me ecë përpara. Serbia është nyja e të gjitha problemeve që ndodhin në Ballkan”, deklaroi Gjini.

Sipas tij, Kosova ka bërë gabime në raportet me aleatët ndërkombëtarë, të cilët, siç u shpreh ai, janë plotësisht të informuar për zhvillimet dhe rrethanat që kanë ndikuar në situatën aktuale.

“Në Kosovë dikush duhet me tregu pse edhe Kosova është bashkëfajtore. Jemi duke bërë gabime, partnerët tanë i dinë detajet, nuk u ikë diçka. Ata e dinë krejt pse po thonë që edhe Kosova ka faj”, u shpreh ai.

Kreu i Aleancës i ka bërë thirrje Qeverisë që të japë sqarime publike për përjashtimin e Kosovës nga dialogu strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe për veprimet apo mosveprimet që kanë ndikuar negativisht në marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.

“Qeveria le të tregojë pse po thonë që edhe ne i kemi fajet. Dilni, tregoni pse jemi të përjashtuar nga dialogu strategjik. Tregoni çka keni bo ose çka s’keni bo, pse po na penalizon krejt bota për shkakun tuaj? Kujt je tu i bo favor?”, deklaroi Gjini.

Postime të Ngjashme