Pre. Tet 9th, 2026

Enver Hasani: Gjykata Speciale mund ta shfuqizojë ligjin e ri për këtë institucion

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka vlerësuar se ekzistojnë gjasa të mëdha që Dhoma Kushtetuese e Gjykatës Speciale ta anulojë ligjin e ri për këtë institucion, i cili u miratua nga Kuvendi i Kosovës.

Duke folur për këtë çështje në emisionin Rubikon, Hasani u mbështet në vendimin e vitit 2020, përmes të cilit, sipas tij, janë trajtuar dispozita të Kushtetutës së Kosovës që lidhen me Gjykatën Speciale.

“Ka gjasë të madhe me anulu Dhoma Kushtetuese e Gjykatës Speciale ligjin e ri për Speciale. Po gjykoj në bazë të asaj që ka thënë vendimi i vitit 2020”, deklaroi Hasani.

Ai theksoi se shqyrtimi i kësaj çështjeje mund të shkojë edhe më tej, duke ngritur dilema për kufijtë e bartjes së kompetencave sovrane të një shteti te një mekanizëm tjetër.

Sipas Hasanit, asnjë shtet nuk mund ta bartë tërësisht sovranitetin e tij te një institucion tjetër. Ai iu referua edhe doktrinës juridike që lidhet me kompetencën për të përcaktuar kufijtë e kompetencave.

Hasani shtoi se marrëveshjet ndërkombëtare nuk mund të zhvlerësohen përmes kontrollit kushtetues nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, por trajtimi i tyre bëhet në bazë të standardeve të Konventës së Vjenës dhe procedurave përkatëse.

Deklaratat e tij vijnë pas miratimit të ligjit të ri për Gjykatën Speciale në Kuvendin e Kosovës.

Postime të Ngjashme