Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet aktuale politike, aktgjykimin e 16 shtatorit në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe procesin e integrimit evropian të vendit.
Gjatë takimit, vëmendje e veçantë iu kushtua edhe rolit të Italisë në mbështetjen e Kosovës drejt avancimit të statusit të saj në vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Kurti bëri të ditur se me ambasadorin italian biseduan edhe për përfundimin e procesit të formimit dhe funksionalizimit të institucioneve, si dhe për planet e ardhshme të punës dhe zhvillimit të vendit.
Ai shprehu mirënjohje për përkrahjen që Italia i ka dhënë Kosovës, duke vlerësuar kontributin e saj në zhvillimin e vendit, si dhe në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon.
Kryeministri theksoi se Kosova synon ta zgjerojë bashkëpunimin me Italinë në të gjithë sektorët me interes të përbashkët, përfshirë edhe sportin.

