Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka autorizuar vendosjen e sanksioneve ekonomike dhe kufizimeve të udhëtimit ndaj zyrtarëve të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP), të cilët janë të përfshirë në hetimet ndaj shtetasve amerikanë dhe qytetarëve të vendeve aleate të SHBA-së.
Vendimi u bë publik gjatë vizitës në Uashington të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, ndaj të cilit Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar urdhërarrest, lidhur me luftën në Rripin e Gazës.
Masat parashohin ngrirjen e pasurive që personat e sanksionuar mund të kenë nën juridiksionin amerikan, si dhe ndalimin e hyrjes së tyre në Shtetet e Bashkuara. Kufizimet mund të përfshijnë edhe familjarët e tyre.
Kjo nuk është hera e parë që administrata amerikane ndërmerr masa të tilla ndaj këtij institucioni. Edhe gjatë mandatit të parë të Trumpit, në vitin 2020, Uashingtoni vendosi sanksione ndaj prokurores së atëhershme Fatou Bensouda dhe njërit prej bashkëpunëtorëve të saj, në lidhje me hetimet për dyshimet për krime lufte nga trupat amerikane në Afganistan.
Gjykata Ndërkombëtare Penale është institucion i përhershëm me 125 shtete anëtare dhe ka mandat të ndjekë penalisht individë për krime lufte, krime kundër njerëzimit, gjenocid dhe krimin e agresionit, në përputhje me juridiksionin e saj.
Shtetet e Bashkuara, Kina, Rusia dhe Izraeli nuk janë pjesë e kësaj gjykate.
Vendimi amerikan ka ngritur shqetësime për ndikimin që sanksionet mund të kenë në funksionimin e institucionit dhe në punën e tij për hetimin e krimeve të rënda ndërkombëtare.

