Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka reaguar pas vrasjes së një gruaje dhe një burri në fshatin Livoç i Ulët të Gjilanit, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri mbeti i plagosur edhe një person tjetër.
Ajo u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave dhe ka kërkuar nga organet e drejtësisë që rasti të hetohet me përkushtim të plotë, të zbardhen të gjitha rrethanat dhe autorët të dalin para drejtësisë.
Në reagimin e saj, presidentja ka theksuar se asnjë rrethanë nuk mund ta justifikojë marrjen e jetës së njeriut, duke nënvizuar gjithashtu se askush nuk ka të drejtë t’i ekspozojë gratë ndaj rrezikut, dhunës apo vuajtjes.
Postimi i plotë i presidentes:
“Me dhimbje të thellë mora lajmin për vrasjen e rëndë që ndodhi sot në fshatin Livoç i Ulët të komunës së Gjilanit, ku një grua dhe një burrë humbën jetën, ndërkaq një tjetër u plagos si pasojë e të shtënave me armë zjarri.
Në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj, shpreh ngushëllimet e mia më të thella për familjet e viktimave dhe shërim të shpejtë për të plagosurin.
Asnjë rrethanë nuk mund ta justifikojë marrjen e jetës së njeriut.
Askush nuk ka të drejtë t’i ekspozojë gratë ndaj rrezikut, dhunës apo vuajtjes.
Prandaj, ftoj organet e drejtësisë që ta hetojnë këtë rast me përkushtim të plotë, t’i zbardhin të gjitha rrethanat dhe t’i sjellin autorët para drejtësisë.”

