Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se partia e saj i mbështeti ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, por vazhdon të ketë dyshime nëse ato do të sjellin rezultatet e pritshme në proceset gjyqësore në Hagë.
Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Nagavci ka shpjeguar se LVV-ja votoi pro projektligjit të propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, duke u mbështetur në ekspertizën e kësaj partie. Megjithatë, ajo ka theksuar se Vetëvendosje kishte shprehur rezerva për përmbajtjen e ndryshimeve dhe shpejtësinë me të cilën kërkohej miratimi i tyre.
“Përkundër dëshirës dhe vullnetit tonë, ne dyshojmë që [ligji] do të sjellë rezultate të mëdha”, ka deklaruar Nagavci, duke vënë në pikëpyetje nëse ndryshimet do të ndikojnë në lirimin e ish-krerëve të UÇK-së.
Ndryshimet e propozuara nga PDK-ja parashohin, ndër të tjera, kufizimin e dënimeve me burgim në 15 vjet, ndryshimin e juridiksionit të gjykatës, mundësinë e shqyrtimit të çështjeve nga Gjykata Supreme e Kosovës, si dhe vuajtjen e dënimeve në Kosovë dhe ushtrimin e kompetencës së faljes nga presidenti.
Nagavci ka ngritur pikëpyetje nëse një ligj mund të ndryshojë kompetencat e një gjykate që mbështetet edhe në Kushtetutën e Kosovës dhe në zotimet ndërkombëtare të vendit. Ajo ka thënë se shpreson që ekspertët e angazhuar nga PDK-ja t’i kenë shqyrtuar këto çështje juridike.
Nga ana tjetër, deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka mbrojtur ndryshimet, duke deklaruar se ato nuk shkelin detyrimet ndërkombëtare të Kosovës dhe se Gjykata Speciale nuk do të mbyllet.
Miratimi i ligjit ka nxitur reagime edhe nga Bashkimi Evropian dhe Gjermania. BE-ja ka shprehur shqetësim për përputhshmërinë e ndryshimeve me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, ndërsa Ambasada gjermane në Prishtinë ka theksuar rëndësinë e respektimit të pavarësisë së Dhomave të Specializuara.
Nagavci ka pranuar se ruajtja e marrëdhënieve me aleatët është e rëndësishme, por ka kërkuar qëndrueshmëri juridike të ligjit. Sipas saj, përgjegjësia për rezultatet e tij nuk i takon vetëm një partie, por edhe deputetëve dhe strukturave të PDK-së, të cilët e kanë hartuar dhe mbështetur nismën.
Ndryshimet u miratuan më 6 tetor, pas marrëveshjes politike ndërmjet LVV-së dhe PDK-së, në kuadër të zhvillimeve që çuan edhe në zgjedhjen e presidentes së re, Justina Shiroka-Pula.
Nagavci ka vlerësuar gjithashtu se, krahas ndryshimeve ligjore, nevojitet një strategji shtetërore për procesin e apelimit të aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Në këtë proces, sipas saj, duhet të përfshihen institucionet, ekspertët juridikë, ekipet mbrojtëse, shoqëria civile dhe partnerët ndërkombëtarë.
Ajo nuk ka konfirmuar nëse ka nisur koordinimi konkret ndërinstitucional, por ka thënë se beson që Qeveria ka filluar angazhimet në këtë drejtim. Afati për paraqitjen e njoftimeve të apelit është zgjatur deri më 27 nëntor.REL

