Dy kompani nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dorëzuar oferta për projektimin dhe ndërtimin e sistemit të baterive për ruajtjen e energjisë në Kosovë. Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Sipas saj, tashmë do të nisë procesi i vlerësimit të ofertave, ndërsa synohet që ndërtimi i projektit të fillojë gjatë vitit të ardhshëm. Sistemi i baterive do të ketë kapacitet prej 340 megavat-orësh dhe do të ndërtohet në Istog dhe Ferizaj.
Ky projekt është pjesë e Programit Kompakt, me vlerë prej 236.7 milionë dollarësh, i bashkëfinancuar nga Shtetet e Bashkuara përmes Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit, MCC, dhe Qeveria e Kosovës.
Ministrja Rizvanolli ka publikuar edhe njoftimin e saj për këtë projekt:
“Dy kompani amerikane kanë dorëzuar oferta për projektimin dhe ndërtimin e baterive!
Tani vijon vlerësimi, me synim nisjen e ndërtimit vitin e ardhshëm.
Me kapacitet prej 340 MWh në Istog dhe Ferizaj, po i afrohemi realizimit të një prej investimeve më të mëdha në sektorin e energjisë në dekadat e fundit.
Projekti është pjesë e Programit Kompakt prej 236.7 milionë dollarësh, të bashkëfinancuar nga ShBA-ja përmes MCC-së dhe Qeveria e Kosovës.
Falemnderit partnerëve tanë amerikanë, MCC-së dhe ekipit të MCA-Kosovës për përkushtimin dhe punën e përbashkët për sigurinë energjetike të vendit tonë!”

