Pre. Tet 2nd, 2026

Haxhiu në takim me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, do ta presë sot në takim presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila po zhvillon një vizitë në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Takimi ndërmjet Haxhiut dhe von der Leyen është paraparë të mbahet në orën 12:30, në Presidencën e Kosovës. Pas këtij takimi, presidentja e Komisionit Evropian do të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti, në ndërtesën e Qeverisë, në orën 13:00. Pas takimit me Kurtin, është paralajmëruar edhe një konferencë për media.

Vizita e von der Leyen në Kosovë është pjesë e turneut të saj në Ballkanin Perëndimor, gjatë të cilit në fokus pritet të jenë procesi i integrimit evropian, rruga drejt Bashkimit Evropian dhe Plani i Rritjes për rajonin.

Pas qëndrimit në Prishtinë, von der Leyen pritet të udhëtojë drejt Podgoricës, ndërsa vizitën në rajon do ta përmbyllë më 2 tetor në Shkup.

Postime të Ngjashme