Punëtorët e sektorit privat në Kosovë kërkojnë të përfshihen në skemën e pagës së 13-të, e cila është paraparë për punonjësit e sektorit publik.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka thënë se kjo mbetet një nga kërkesat kryesore të sindikatës. Sipas tij, punëtorët e sektorit privat nuk duhet të përjashtohen nga kjo përfitim, pasi edhe ata kontribuojnë në mbushjen e buxhetit të shtetit.
“Sektori publik mori pagën e 13-të u gëzuam shumë sepse menduam që edhe ne do t’i marrim. Është një padrejtësi të cilën vetëm punëtorët e sektorit privat të Kosovës mund ta mbajnë mbi barrën e vet”, ka deklaruar Azemi.
Azemi ka deklaruar se sindikata nuk do të heqë dorë nga kërkesa për pagën e 13-të, duke e lidhur atë edhe me çështjen e kushteve dhe pagave të punëtorëve në sektorin privat.
Në të njëjtën kohë, sindikata ka paralajmëruar se do të vazhdojë të kërkojë rritjen e pagave dhe përmirësimin e kushteve të punës, ndërsa ka bërë të ditur se do të organizojë edhe protesta nëse kërkesat e punëtorëve nuk trajtohen nga institucionet.
Sindikata ka kërkuar nga institucionet që çështja e pagës së 13-të për sektorin privat të trajtohet në kuadër të masave që synojnë mbështetjen e punëtorëve dhe përballimin e kostos së jetesës.
Ndërkohë Ministri i Financave Hekuran Murati ka thënë: “Nëse ju mendoni që edhe sektori privat duhet ta bëjë një gjë të tillë, ndoshta edhe mund ta amandamentojmë me ligj ngjashëm siç e kanë disa shtete evropiane.”

