Katër persona janë vënë në pranga nga policia si autorë të dyshuar për zjarrvënie në Fier, Lushnjë dhe Memaliaj.
Policia e Fierit njoftoi se u arrestua shtetasi D. D., 31 vjeç, banues në fshatin Pojan, Fier, pasi dje, dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij dhe për shkak të erës, zjarri është përhapur me shpejtësi, duke rrezikuar banesat dhe sipërfaqe të mëdha toke në afërsi të Parkut Arkeologjik të Apolonisë.
Ndërkohë, policia në Lushnjë arrestoi shtetasit A. S., 56 vjeç, banues në Lushnjë, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në servisin e tij dhe si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur pjesë automjetesh dhe pemë ulliri në pronën e një shtetasi tjetër; D. G., 49 vjeç, banues në fshatin Golem, Lushnjë, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij, për të djegur mbeturinat, por zjarri ka dalë jashtë kontrollit, duke djegur një sipërfaqe toke me bimësi të egër dhe kanale vaditëse, si dhe ka rrezikuar djegien e disa serave në afërsi.
Në Memaliaj policia vuri në pranga shtetasin Q. Sh., 76 vjeç, banues në fshatin Vasjar.
Sipas policisë, shtetasi Q. Sh. u kap në flagrancë mbrëmë, në afërsi të vatrave të zjarrit që dyshohet se ndezi në sipërfaqen e tokës që kishte me qira dhe në sipërfaqe toke pronë shtetërore, në vendin e quajtur “Gropa e Dardhës”, me qëllim pastrimin e tyre.
Si pasojë u dogjën rreth 4000 m² sipërfaqe toke (pyje, kullota dhe sipërfaqe toke me bimësi të ndryshme).
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./ATSH

