Enj. Sht 17th, 2026

Një grup qytetarësh u mblodhën mbrëmë para EULEX-it, hodhën një mjet piroteknik, Policia: Pati një zjarr të vogël

Qytetarët që ishin mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, mbrëmë janë zhvendosur drejt objektit të EULEX-it.

Policia e Kosovës përmes një njoftimi ka bërë të ditur se kjo ka ndodhur rreth orës 22:30.

Sipas Policisë, protestuesit, pasi kanë arritur pranë hyrjes së objektit të EULEX-it, kanë bllokuar rrugën dhe “kanë filluar hedhjen e gjësendeve të ndryshme, mjeteve të forta dhe mjeteve piroteknike”.

Policia tha se, si pasojë e mjeteve piroteknike, “një pjesë e objektit është kapluar nga një zjarr i vogël, i cili është shuar menjëherë”.

Policia ka bërë të ditur se zyrtarët policorë kanë komunikuar vazhdimisht me protestuesit dhe u kanë kërkuar që protestat t’i zhvillojnë në mënyrë të qetë dhe të mos hedhin mjete të rrezikshme drejt objekteve shtetërore.

Qytetarët sërish mblidhen para EULEX-it, gjuajnë me gurë e mjete piroteknike

Sipas njoftimit, protestat kanë përfunduar pas mesnatës, rreth orës 00:20.

Policia vlerëson se “ka menaxhuar në mënyrë profesionale mbarëvajtjen e tubimeve/protestave”, të cilat, sipas saj, kanë kaluar “pa incidente madhore dhe pa lëndime të protestuesve e të zyrtarëve policorë”.

Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin, ndërsa ka njoftuar se do të vazhdojë me prezencën dhe patrullimet në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.

Postime të Ngjashme