Policia e Kosovës ka raportuar për disa raste të dhunës në familje, të regjistruara gjatë 16 shtatorit në Gjakovë, Prishtinë dhe Lipjan.
Në Gjakovë, janë raportuar tri raste. Në rastin e parë, dy të dyshuar meshkuj kosovarë dyshohet se janë përleshur mes vete. Njëri është arrestuar, ndërsa tjetri është në kërkim policor.
“Është raportuar se dy të dyshuarit meshkuj kosovarë janë rrahur mes vete. Njëri nga të dyshuarit është arrestuar, ndërsa i dyshuari tjetër ndodhet në kërkim policor”, thuhet në raportin policor.
Pas intervistimit dhe me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt.
Në një rast tjetër në Gjakovë, është arrestuar një burrë kosovar, i dyshuar se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje kosovare.
“Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, njoftoi policia.
Po ashtu, në Gjakovë është arrestuar edhe një tjetër i dyshuar, nën dyshimin se ka keqtrajtuar fizikisht një grua kosovare. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Në Prishtinë, policia ka raportuar për katër raste.
Në rastin e parë, një grua kosovare ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga një burrë kosovar.
“Me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.
Në një rast tjetër, një grua dhe një burrë kosovarë janë përfshirë në një mosmarrëveshjeje, ndërsa rasti, me vendim të prokurorit, ka kaluar në procedurë të rregullt.
Ndërkaq, në një rast tjetër në Prishtinë, është arrestuar një burrë kosovar, i cili dyshohet se ka sulmuar një grua. Pas vendimit të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Në Lipjan, është raportuar se një burrë kosovar dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj një gruaje kosovare.
“Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin policor.

