Mar. Sht 15th, 2026

“Energjia në duart tona”, nxënësit mësojnë për kursimin dhe përdorimin efikas të energjisë

Nxënësit e Shkollës së Mesme “Hivzi Sylejmani” në Fushë Kosovë kanë zgjeruar njohuritë për kursimin dhe përdorimin efikas të energjisë elektrike, përmes aktiviteteve të zhvilluara në kuadër të projektit “Energjia në duart tona”.

Përmes këtij projekti, të rinjtë po mësojnë për rëndësinë e përdorimit racional të energjisë, mbrojtjen e burimeve dhe krijimin e shprehive të përgjegjshme, të cilat mund t’i zbatojnë edhe në familje dhe komunitet.

Nxënësit pjesëmarrës kanë vlerësuar se njohuritë e fituara gjatë aktiviteteve i kanë ndihmuar të kuptojnë më mirë se si veprimet e përditshme mund të ndikojnë në kursimin e energjisë dhe mbrojtjen e mjedisit.

Nxënësja e klasës së 11-të, Argjira Belaj, ka thënë se përmes projektit ka mësuar më shumë për rëndësinë e kursimit të energjisë dhe përgjegjësinë që kanë të rinjtë në këtë drejtim.

Belaj: Kam mësuar si të bëhem qytetare e ndërgjegjshme dhe ta kursej energjinë

“Kam mësuar shumë se si të bëhem një qytetare e ndërgjegjshme, si të kursej më shumë energjinë dhe e pashë se sa e rëndësishme është që me u vetëdijësu dhe me i tregu shoqërisë se sa e rëndësishme është të kursehet energjia elektrike. Përveç energjisë elektrike, të gjitha energjitë e mundshme që na nevojiten në ditën e përditshme, mirëpo t’i kursejmë dhe të dimë se si t’i përdorim ato, duke menduar për këtë sot, nesër të kemi një të ardhme më të mirë, si për ne, si për gjeneratat e tjera”, ka thënë Belaj.

Nxënësja tjetër e klasës së 11-të, Selbi Hysa, ka theksuar se përdorimi efikas i energjisë ndihmon në uljen e shpenzimeve të panevojshme dhe njëkohësisht në mbrojtjen e burimeve dhe mjedisit.

Hysa: Duhet t’i ulim shpenzimet e panevojshme të energjisë

“Energjia elektrike është shumë e rëndësishme, sepse ne duhet të ulim shpenzimet e panevojshme, duhet të përdorim energjinë me shumë efikasitet dhe duhet të mbrojmë burimet dhe mjedisin. Si ne mësojmë të rezervojmë energjinë, atëherë do të krijojmë zakone sa më të mira për familjen tonë edhe rrethin tonë shoqëror”, ka theksuar Hysa.

Projekti “Energjia në duart tona” po implementohet nga Qendra për Inovacione dhe Zhvillim, në bashkëpunim me Agjencinë e Lajmeve KosovaPress dhe Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

Përmes tij synohet rritja e ndërgjegjësimit dhe njohurive praktike të të rinjve dhe, përmes tyre, edhe të komunitetit më të gjerë për rëndësinë e kursimit, përdorimit efikas dhe menaxhimit të përgjegjshëm të energjisë elektrike.

Në kuadër të projektit, fokus i veçantë u kushtohet nxënësve të klasave të dhjeta, njëmbëdhjeta dhe dymbëdhjeta të gjimnazeve dhe shkollave të mesme. Synimi është që njohuritë e fituara të ndikojnë në krijimin e shprehive të qëndrueshme për përdorimin racional të energjisë.

Postime të Ngjashme