Tensionet mes Danimarkës dhe Rusisë janë shtuar pas incidentit në Detin Baltik, ku një fregatë ruse lëshoi dy raketa sinjalizuese drejt një helikopteri ushtarak danez.
Kopenhaga thotë se nuk pati asnjë paralajmërim apo kontakt radioje përpara incidentit, ndërsa Moska pretendon se helikopteri kreu manovra të rrezikshme pranë anijeve ruse.
Ministri i Mbrojtjes i Danimarkës, Jeppe Bruus, i tha Reuters se fregata ruse nuk kishte dhënë asnjë paralajmërim dhe nuk kishte vendosur kontakt radioje me helikopterin përpara se të lëshonte dy sinjalizuesit.
Sipas tij, sinjalizuesit kaluan vetëm disa metra larg helikopterit, duke e bërë incidentin veçanërisht të rrezikshëm, transmeton Telegrafi.
Kryeministrja daneze e cilëson si “të pamatur” sulmin rus me raketa sinjalizuese ndaj helikopterit
Incidenti ndodhi në ujërat ndërkombëtare, ndërsa helikopteri danez po kryente një operacion rutinë pranë një anijeje luftarake ruse.
Ministri i Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen, tha se kishte thirrur ambasadorin rus në Kopenhagë për një takim lidhur me atë që e cilësoi si incident “të papranueshëm”.
Kopenhaga e ka dënuar më herët veprimin e fregatës ruse, duke e cilësuar si një sjellje të rrezikshme ndaj forcave daneze.
Danimarka thotë se helikopteri po kryente një mision rutinë fotografik në hapësirën ajrore ndërkombëtare dhe se nuk përbënte kërcënim për anijen ruse.

