Mër. Sht 9th, 2026

Incidenti në pikën e karburantit në Shqipëri: Tre punonjës të plagosur dhe karburanti i gjithi i shkatërruar

Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur mëngjesin e sotëm zonën e Brrylit në Tiranë, duke shkaktuar plagosjen e tre punonjësve dhe dëme të konsiderueshme materiale në një karburant.

Sipas të dhënave paraprake, shpërthimi dyshohet se ka ardhur nga një bombol gazi në ambientet e karburantit, ku kryhet furnizimi i automjeteve.

Si pasojë e shpërthimit, një strukturë njëkatëshe është dëmtuar rëndë dhe pjesërisht është shembur. Brenda saj akomodoheshin edhe punonjësit e karburantit.

Në momentin e ngjarjes, në ambientet e karburantit ndodhej edhe një automjet që po furnizohej me gaz. Nuk dihet ende nëse ka persona të tjerë të përfshirë apo të dëmtuar.

Tre punonjësit e plagosur janë transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Gjendja e tyre shëndetësore ende nuk është bërë e ditur.

Pas shuarjes së flakëve, zjarrfikësit kanë nisur pastrimin e rrugës, e cila vijon të jetë e bllokuar për qarkullimin.

Rruga pritet të hapet vetëm pasi të përfundojnë ndërhyrjet dhe të rikthehet situata në gjendje normale, për të garantuar sigurinë e kalimtarëve dhe automjeteve.

Ndërkohë, në zonë po punohet edhe për largimin e pasojave të shpërthimit. Një fadromë është angazhuar për heqjen e inerteve të mbetura pas shkatërrimit të strukturës së karburantit dhe godinës njëkatëshe ku qëndronin punonjësit.

Autoritetet dhe grupet e emergjencës vijojnë punën në vendngjarje, ndërsa pritet të përcaktohen me saktësi rrethanat dhe shkaku i shpërthimit.

Pas incidentit, ka reaguar policia, që në një informacion paraprak shkruan: “Tiranë. Tek “Brryli”, në një karburant, dyshohet se ka shpërthyer një bombul gazi, gjatë kohës që po furnizohej me karburant një automjet.

Si pasojë, janë dëmtuar 3 persona, punonjës të karburantit, të cilët janë dërguar në spital për mjekim, jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të rastit”./TopChannel/

Postime të Ngjashme