Mër. Sht 9th, 2026

Faton Peci mbetet kryetar i vetëm i Guxo, Gërvalla largohet nga udhëheqja

Faton Peci vazhdon të mbetet kryetar i Partisë Guxo.

Donika Gërvalla jo.

I pari u zgjodh lider i vetëm i subjektit që është në koalicion me Vetëvendosjen e Albin Kurtit, pasi e dyta vendosi të tërhiqet nga gara për udhëheqje të përbashkët
Ky vendim u mor në Kuvendin e Dytë të Rregullt Zgjedhor, të mbajtur në katërvjetorin e themelimit të partisë.

Me këtë rast, Gërvalla, siç bën të ditur një njoftim nga Guxo, propozoi Pecin për kryetar dhe njoftoi delegatët për vendimin e saj që të mos marrë përsipër përgjegjësi në lidership të partisë. Ajo tha se do të përqendrohet në përgjegjësitë institucionale dhe reformën në drejtësi.

“Përgjegjësia që kam si ministre e Drejtësisë kërkon përkushtimin tim maksimal. Siç e dini, para nesh kemi një punë të jashtëzakonshme dhe beteja që nuk mund të zhvillohen përgjysmë”, deklaroi Gërvalla, sipas njoftimit të Guxo, transmeton KosovaPress.
Ajo përmendi reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e shtetit ligjor.

“Këto dhe shumë procese të tjera vendimtare për Republikën e Kosovës kërkojnë çdo ditë energjinë, kohën dhe angazhimin tim të plotë. Për këtë, çdo ditë kam nevojë për mbështetjen dhe përkrahjen tuaj”, shtoi ajo.

Delegatët e zgjodhën Pecin kryetar me shumicë absolute të votave.
Pas zgjedhjes, kryetari aktual i Mitrovicës falënderoi delegatët për besimin dhe Gërvallën për kontributin në themelimin dhe fuqizimin e partisë.
Ai shprehu vendosmërinë për vazhdimin e rrugëtimit politik dhe partneritetit qeverisës. Si prioritete përmendi sigurinë, zhvillimin ekonomik dhe integrimin e Kosovës në NATO e Bashkimin Evropian.

Gjatë punimeve u miratua edhe Deklarata Politike e Partisë Guxo. Përmes saj u riafirmua synimi për forcimin e shtetit ligjor dhe funksionimin e institucioneve demokratike.
Në të thuhet se partia Guxo vlerëson se bllokada dyvjeçare për krijimin e institucioneve i ka shkaktuar dëme vendit. Ajo u bëri thirrje partive për kompromis, pjesëmarrje dhe përgjegjësi institucionale.

Në kuvend u zgjodh edhe Këshilli i Përgjithshëm i Partisë Guxo për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.

Postime të Ngjashme