Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka njoftuar se Provimi i Maturës do të mbahet të shtunën, më 29 gusht 2026, duke filluar nga ora 10:00.
Sipas njoftimit të ministrisë, përmes platformës eKosova kanë aplikuar gjithsej 5,033 kandidatë, ndërsa pas procesit të shqyrtimit dhe verifikimit janë aprovuar 4,967 aplikime.
Provimi do të organizohet në 55 qendra të testimit në vend.
Ministria ka bërë të ditur se të gjithë komisionarët dhe administruesit duhet të jenë të pranishëm në qendrat përkatëse një orë para fillimit të provimit, me qëllim të sigurimit të organizimit dhe mbarëvajtjes së procesit.
Ndërkaq, kandidatët duhet të paraqiten në qendrën e testimit të përcaktuar në listat përfundimtare dhe të kenë me vete dokumentin përkatës të identifikimit.
MASh ka kërkuar respektimin e plotë të udhëzimeve dhe rregullave të përcaktuara, me qëllim të garantimit të një procesi të rregullt, të sigurt dhe të barabartë për të gjithë kandidatët.

