Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka refuzuar kërkesën e gjyqtarëve dhe stafit nga komuniteti serbë për tërheqjen e dorëheqjeve nga sistemi gjyqësor.
Në mbledhjen e sotme të KGJK-së, me 9 vota për, një kundër dhe një abstenim, u refuzua kërkesa për kthimin e gjyqtarëve dhe stafit serb. Kryesuesi i KGJK-së, Rrustem Thaqi, abstenoi, kurse anëtarja e këtij mekanizmi të drejtësisë, Ivana Milenkoviq, votoi kundër. Ndërkohë, emrat e të dorëhequrve do të dërgohen te ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, për lirim nga detyra.
Ish-gjyqtarët nga komuniteti serbë kishin kërkuar që t’u mundësohej rikthimi në vendet e tyre të punës, pasi kishin dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022, kur përfaqësuesit serbë u larguan nga institucionet e Kosovës në veri të vendit.
Propozimin për refuzimin e kërkesës dhe lirimin nga detyra e bëri gjyqtari Artan Abazi, i cili renditi arsyet pse duhet bërë një gjë e tillë.
Abazi: Gjyqtarët dhe stafi serbë nuk duhet të kthehen në sistemin gjyqësor të Kosovës
“Ata janë tërhequr me vullnetin e tyre dhe tani, pas katër vitesh, paraqesin kërkesë për t’u kthyer në sistemin gjyqësor të Kosovës. Duke pasur parasysh këtë gjendje, unë, si anëtar i Këshillit Gjyqësor, konsideroj që gjyqtarët, e po ashtu stafi administrativ, duke pasur parasysh që katër vite nuk janë në sistemin gjyqësor, konsideroj se ata, përveç gjërave të tjera, kanë humbur edhe aftësinë profesionale për të ushtruar pozitën e gjyqtarit, përfshirë zyrtarin ligjor, bashkëpunëtorin profesional dhe referentin… Përveç aspektit profesional që u mungon këtyre gjyqtarëve, unë konsideroj se jo për të gjithë, se ata janë të përfshirë edhe në aktivitete politike. Kështu që një gjyqtar dhe staf administrativ që është i përfshirë në aktivitete politike nuk ka vend në sistemin e drejtësisë”, tha ai.
Lirim nga detyra të gjyqtarëve dhe stafit përcjellës nga komuniteti serbë kërkoi edhe anëtari tjetër i KGJK-së, gjyqtari Bashkim Hyseni, i cili kërkoi që të hapet konkursi dhe të ketë rekrutim të ri nga komuniteti serb.
Hyseni: Të hapet konkursi për rekrutim të ri nga komuniteti serb
“Zgjidhja do të ishte që të bëhet propozimi që këta gjyqtarë të lirohen nga detyra dhe të hapet konkursi, duke respektuar plotësisht kuotat kushtetuese që vijnë nga komuniteti serb”, theksoi ai.
Mbështetje refuzimit të kërkesës për tërheqjen e dorëheqjeve i dhanë edhe anëtarët e KGJK-së, Ahmet Imami dhe Agron Maxhuni.
Ky i fundit tha se KGJK-ja, menjëherë pas dorëheqjeve në vitin 2022, kishte marrë vendim për ndërprerjen e pagave për këta zyrtarë.
Maxhuni: Pagat gjyqtarëve serbë iu janë ndërprerë në vitin 2022
“Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka marrë një vendim për pezullimin apo ndërprerjen e pagave. Ka qenë ndër institucionet e vetme që, në kohë të trazirave, ka funksionuar me kapacitet të plotë Gjykata Themelore në Mitrovicë”, theksoi ai.
Në anën tjetër, anëtarja e KGJK-së nga komuniteti serb, Ivana Milenkoviq, kërkoi që të aprovohen tërheqjet e dorëheqjeve të gjyqtarëve dhe stafit serb të dorëhequr nga sistemi gjyqësor.
Milenkoviq: Të pranohet kërkesa për rikthimin në punë të gjyqtarëve serbë
“Përpara nesh kemi një çështje që kërkon nga ne të veprojmë ekskluzivisht si mbrojtës të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë. Shqyrtimi i kërkesave për tërheqjen e dorëheqjeve të paraqitura nga gjyqtarët dhe stafi serb është një test i pjekurisë sonë kushtetuese dhe i sistemit tonë gjyqësor. Dëshiroj vetëm t’iu rikujtoj shkurtimisht disa norma konkrete kushtetuese dhe ligjore që na obligojnë sot t’i pranojmë kërkesat për tërheqjen e dorëheqjeve”, shtoi ajo.
Muajin e kaluar edhe Këshilli Prokurorial kishte refuzuar kërkesën për rikthimin në punë të prokurorëve dhe stafit përcjellës nga komuniteti serb, pas dorëheqjeve në vitin 2022.
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përshëndetur vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) për lirimin nga detyra të gjyqtarëve serbë që kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022.
Përmes një reagimi, Haxhiu ka thënë se në përputhje me përgjegjësitë e saj kushtetuese dhe ligjore, do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për lirimin e tyre nga detyra. /KosovaPress/

