Shtëpia Botuese “Dituria Islame” do të jetë pjesëmarrëse në edicionin jubilar të 25-të të Panairit të Librit – Ulqin 2026, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në rajon, që prej një çerek shekulli bashkon botues, autorë dhe lexues nga mbarë hapësira shqiptare.
Hapja solemne e panairit do të mbahet më 5 gusht 2026, në orën 21:00, në Pazarin e Suvenireve në Ulqin.
Në këtë edicion, Shtëpia Botuese “Dituria Islame” do të prezantohet me 60 tituj, prej të cilëve 20 janë botime të reja, duke u ofruar vizitorëve një përzgjedhje të pasur të literaturës islame, botimeve shkencore, edukative, kulturore dhe veprave për fëmijë.
Panairi do të jetë një mundësi e mirë për lexuesit që të njihen me botimet më të reja të “Diturisë Islame”, si dhe me titujt që prej vitesh zënë një vend të rëndësishëm në bibliotekat e dashamirësve të librit.
Organizatorë të këtij manifestimi janë Komuna e Ulqinit, Qendra për Kulturë – Ulqin, Organizata Turistike Ulqin, Ministria e Kulturës dhe Medias e Malit të Zi, Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave e Malit të Zi, Ndërmarrja Komunale Ulqin, si dhe Instituti i Librit dhe i Promocionit nga Shqipëria, në cilësinë e bashkëorganizatorit të përhershëm.

