Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, promovoi dy botime të reja të myderrizit të shquar, haxhi Sherif ef. Ahmetit, me titull: “Akaidi islam: Parimet, zhvillimi dhe shkollat”, si dhe “Ixhazetnamet e H. Sherif ef. Ahmetit” nga autori dr. Sadik Mehmeti.
Në këtë ngjarje të rëndësishme kulturore u vlerësua lart figura dhe vepra e myderrizit të shquar shqiptar, një prej personaliteteve më të rëndësishme të arsimit dhe mendimit islam në shekullin XX, i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme në formimin intelektual dhe shpirtëror të brezave të tërë.
Drejtori për Kulturë dhe Veprimtari Botuese, Ramadan Shkodra, vlerësoi se botimi i veprave me karakter akademik dhe shkencor përbën një mision të rëndësishëm në ruajtjen e trashëgimisë intelektuale dhe në transmetimin e dijes te brezat e ardhshëm. Ai tha se: “Në kontekstin e zhvillimit të mendimit shkencor dhe të ruajtjes së trashëgimisë intelektuale, botimi i veprave me karakter akademik dhe didaktik përbën një ndër misionet themelore të institucioneve shkencore dhe botuese, duke qenë se një botim i mirëfilltë nuk reduktohet në një akt të thjeshtë publikimi, por përfaqëson një proces kompleks përmes të cilit dija e vlefshme sistemohet, dokumentohet dhe transmetohet në mënyrë të qëndrueshme dhe të verifikueshme te brezat e ardhshëm.”
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, në fjalën e tij theksoi se haxhi Sherif ef. Ahmeti përfaqëson modelin e dijetarit, që me përkushtim të thellë ka ruajtur dhe transmetuar dijen islame, duke vazhduar denjësisht misionin e dijetarëve si trashëgimtarë të pejgamberëve. Ai u shpreh se vepra “Akaidi islam” përbën një trashëgimi të çmuar që jo vetëm trajton bazat e besimit islam, por ndërton ura mes traditës klasike dhe sfidave të kohës bashkëkohore.
“Haxhi Sherif Ahmeti përfaqëson figurën e dijetarit që mishëron në praktikë parimin pejgamberik, ngase veprimtaria e tij dëshmon përkushtim të thellë ndaj ruajtjes dhe transmetimit të dijes islame. Në këtë mënyrë, ai vazhdoi denjësisht rrugën e dijetarëve si trashëgimtarë të misionit të Pejgamberit tonë Muhamedit a.s.. Ky botim përfaqëson një trashëgimi të qëndrueshme shpirtërore dhe intelektuale, një dëshmi të qartë të përkushtimit të një dijetari të madh siç ishte h. Sherif Ahmeti, ndaj dijes dhe misionit arsimor, si dhe një dhuratë të çmuar akademike për të gjithë ata që synojnë ta njohin, ta kuptojnë dhe ta jetojnë besimin islam me thellësi konceptuale, vetëdije kritike dhe përgjegjësi morale.”
Reisi i Bashkësisë Islame të Maqedonisë së Veriut, hfz. Shaqir ef. Fetai, theksoi se kjo vepër nuk është thjesht një promovim libri, por një rikthim i gjallë i mendimit të haxhi Sherif Ahmetit si dijetar dhe reformator që ndërtoi një vizion ku feja, arsyeja dhe dija ecin së bashku në shërbim të shoqërisë.
“Ky është një moment në të cilin kujtesa jonë kolektive ndriçohet nga figura e një personaliteti të rrallë – teolog, myderriz, alimi dhe reformator i mendimit islam. Promovimi i kësaj vepre nuk është thjesht një akt formal apo akademik. Ai është një rikthim i gjallë i mendimit të tij në kohën tonë, një mundësi për të komunikuar me idetë e tij, për të reflektuar mbi metodologjinë që ai ndoqi dhe për të marrë prej tij udhëzime të çmuara në rrugën tonë intelektuale dhe shpirtërore”.
Për veprën “Ixhazetnamet e haxhi Sherif Ahmetit”, foli profesori Ziber Lata, i cili theksoi theksoi se ixhazetnamet e Haxhi Sherif Ahmetit përbëjnë themelin e legjitimitetit të dijes islame, duke e lidhur atë me zinxhirin autentik të dijetarëve deri te Pejgamberi. Sipas tij, ato nuk janë vetëm dëshmi akademike, por garanci e ruajtjes së traditës, metodologjisë dhe etikës së dijes islame ndër shqiptarë.
Autori i veprës, dr. Sadik Mehmeti, u shpreh se ky botim është një amanet i ruajtur me përkushtim ndër vite nga ligjëratat e haxhi Sherif Ahmetit, i cili sot vjen si një trashëgimi e gjallë për lexuesit dhe brezat e ardhshëm. Ai theksoi se figura dhe vepra e tij dëshmojnë se dijetarët e vërtetë jetojnë përtej kohës – në dijen që lënë dhe në gjurmët që mbeten tek nxënësit e tyre.
Këto botime nuk janë vetëm kujtim i një figure të madhe të dijes, por një thirrje e vazhdueshme për të ruajtur, kultivuar dhe transmetuar trashëgiminë intelektuale islame si vlerë që i përket të tashmes dhe së ardhmes.
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, promovoi dy botime të reja të myderrizit të shquar, haxhi Sherif ef. Ahmetit

