Kryetari i Federatës Sindikale të Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka kërkuar sqarim nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, lidhur me afatet e ekzekutimit të pagesës prej 100 euro.
Përmes një shkrese zyrtare, Azemi tha se FSPTSPK është duke pranuar vazhdimisht pyetje se kur do të shpërndahen këto mjete, për çka dhe ka kërkuar sqarim nga qeveria në detyrë.
“Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës, pas miratimit të Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0 nga Qeveria e Republikës së Kosovës, është duke pranuar vazhdimisht pyetje dhe kërkesa për sqarim nga punëtorët lidhur me kohën e realizimit të pagesës prej 100 eurove të paraparë me këtë pako, andaj ju kërkojmë sqarime zyrtare se kur pritet të bëhet shpërndarja e kësaj mbështetjeje financiare për përfituesit e kësaj mase”, thuhet në shkresë.
Afati i fundit për aplikim nga punëtorët e sektorit privat ka qenë 5 qershori.
Më 22 maj, Qeveria në detyrë ka miratuar një pako të re për përballje me inflacionin, përmes së cilës do të ndajë nga 100 euro për pensionistët, fëmijët, studentët aktivë dhe punonjësit e sektorit privat./KP

