Mër. Mar 4th, 2026

Shfuqizohet neni 4 i rregullores për organizimin e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve

Gjykata Supreme në çështjen juridike të konfliktit administrativ sipas padisë së paditësit M.P., kundër të paditurës Qeveria e Republikës së Kosovës – zyra e kryeministrit, e përfaqësuar nga Ministria e Drejtësisë – Avokatura Shtetërore, ka shpallur aktgjykimin lidhur me ligjshmërinë e rregullores (ZKM) Nr. 08/2023 për organizimin e brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Agjencinë për regjistrimin e bizneseve.

Pas shqyrtimit publik të mbajtur më 24 shkurt 2026, gjykata ka aprovuar pjesërisht si të themeltë kërkesëpadinë e paditësit, duke shpallur të paligjshëm dhe shfuqizuar nenin 4 të rregullores (ZKM) Nr. 08/2023.
Gjykata ka konstatuar se neni 4 i rregullores, i cili parashikon strukturën organizative të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve vetëm me zyrën e drejtorit ekzekutiv dhe divizionet, pa parashikuar nivelin e departamenteve, bie në kundërshtim me dispozitat imperative të Ligji Nr. 06/L-113 për organizimin dhe funksionimin e administratës ahtetërore dhe të agjencive të pavarura, konkretisht me nenet që përcaktojnë modelin e detyrueshëm të organizimit të brendshëm të agjencive ekzekutive.
Sipas arsyetimit të gjykatës, kompetencat e kryeministrit për nxjerrjen e rregulloreve, të parapara me Ligji Nr. 08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës, duhet të ushtrohen në përputhje të plotë me dispozitat materiale dhe detyruese të ligjeve në fuqi. Përjashtimi i nivelit të departamenteve nga struktura organizative e një agjencie me mbi 50 punonjës dhe me veprimtari komplekse nuk është në pajtim me modelin ligjor të përcaktuar.

Gjykata vlerësoi se shfuqizimi vetëm i nenit 4 është masë e mjaftueshme për të rivendosur ligjshmërinë dhe për të mbrojtur të drejtat e paditësit, pa qenë e nevojshme shfuqizimi i tërë aktit nënligjor. Çështjet e tjera që lidhen me vendimin individual administrativ dhe kërkesën për rikthim në pozitë mbeten në kompetencë të gjykatës referuese.
Me këtë aktgjykim, Gjykata Supreme thekson parimin e ligjshmërisë dhe të hierarkisë së normave juridike, duke garantuar harmonizimin e akteve nënligjore me ligjin dhe mbrojtjen efektive të të drejtave të palëve.

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *