Turisti nga Maqedonia e Veriut, Goran Tanevski, i cili ka përjetuar sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, ka përjetuar traumë të rëndë psikologjike.
Tanevski dëshmoi të mërkurën në seancën gjyqësore për rastin e sulmit në Banjskë ndaj të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq. Prokurori special, Naim Abazi, pyeti dëshmitarin nëse kishte tejkaluar ankthin e përjetuar gjatë sulmit në Banjskë, ndërsa Tanevski tha se ende përballet me probleme psikologjike.
“Edhe më tej kam probleme të tilla”, tha ai.
Prokurori Abazi pyeti dëshmitarin se gjatë vizitës së tij me familje në Banjskë, a ka vërejtur persona të tjerë që nuk dukeshin si turistë.
Tanevski tha se në mëngjesin e ditës së sulmit nuk kishte parë persona që dukeshin si turistë, ndërsa në momentin e sulmit dëgjoheshin të shtëna armësh dhe më pas kishte parë persona të uniformuar rreth hotelit, dy prej të cilëvë jashtë objektit dhe një brenda hotelit, të tre të armatosur.
“Deri në ditën e ndodhjes, në atë mëngjes nuk kam parë persona që janë dukur turistë. Në ditën që ndodhi kjo dëgjoheshin gjuajtje. Ne nuk mund të shihnim asnjë, por në atë mëngjes pamë persona të uniformuar rreth hotelit dhe kishte një në hotel. Njerëzit që i pamë jashtë hotelit, pamë dy veta në uniformë, pa shenja dhe me armë ushtarake. Atij që ishte në hotel mund t’ia shihnim vetëm pushkën, kurse uniformën jo, sepse ne ishim poshtë shkallëve dhe ai po kërkonte batanije apo diçka të tillë. Nën dritaren, në të cilën ishim të vendosur ne, nga dritarja për personin që po flas, mund të kishte municion, kishte bombë”, shtoi ai.
Dëshmitari duke kujtuar ditën kritike, tha se njëri nga personat e uniformuar kishte kërkuar çarçaf dhe e shoqja i kishte dhënë batanije, ndërsa më pas mysafirëve u ishte kërkuar të qëndronin në dhoma dhe të mos dilnin jashtë hotelit.
“Na kërkoi një çarçaf. Kur ai kërkoi, unë isha në pjesën tjetër të hapësirës, ndërsa gruaja i ka dhënë një batanije. Sa i përket pyetjes së kufizimit në dhoma, nuk kishte diçka të tillë. Kishte një thirrje që të qëndronim në dhomë, sepse dikush dëshironte të dilte. Ne u nisëm për të dalë, por na u tha të ktheheshim në hotel. Dikush na tha prej katit të hotelit. Unë doja të dilja që të shoh automjetin tim, por dikush na tha që të kthehemi. Mendoj se ishte një nga personat e uniformuar, sepse ai person kishte edhe armë me vete”, tha ai.
Sipas dëshmisë së tij, ata u fshehën në bodrum disa orë për shkak të të shtënave dhe eksplodimeve jashtë hotelit. Në momentin që kishin përfunduar të shtënat, mysafirët janë kthyer në dhomë.
“Vështirësitë ishin fillimisht si rezultat i gjuajtjeve dhe eksplodimeve që ishin jashtë hotelit. Pastaj, kur zbardhi dita të nesërmen, kur i pamë këta persona të uniformuar, vendosëm që të fshiheshim në bodrum. Dhe aty qëndruam 2-3 orë, pastaj u ndalën gjuajtjet një kohë dhe u kthyem në dhomë”, tha ai.
Tanevski tha se ngjarja ka lënë pasoja të rënda psikologjike tek ai dhe familja e tij, duke theksuar se pas asaj dite kishte vendosur të mos vizitojë më Kosovën.
Ai nuk mund ta harrojë tmerrin që kishte përjetuar më 24 shtator të 2023, pasi që u ndie përgjegjës për atë që përjetoi familja e tij, duke u frikësuar se mos po i qëllon ndonjë plumb.
E frika tij më e madhe ishte fëmija i tij me autizëm.
Tanevski shtoi se familja u largua të hënën nën sigurinë e Policisë së Kosovës.
“Unë prej asaj dite vendosa që të mos vij asnjëherë në Kosovë. Ajo që ndodhi atë ditë asnjëherë nuk mund ta harroj. Unë i dërgova ata atje që të pushonim, unë u ndieva përgjegjës për atë që ata përjetuan. Edhe sot e kësaj dite, kur më kujtohet për atë që ndodhi, ndiej stres, pasiguri dhe frikë. Në orën 15:00 dëgjuam gjuajtje dhe eksplodime. Kjo ndodhi derisa nuk zgjati dita. Kishim frikë se mos na qëllonte ndonjë plumb. Pastaj, kur zbardhi dita, pamë ushtarë jashtë me armë, kishte edhe më tej gjuajtje. Kur u ndalën gjuajtjet, unë komunikova me Ministrinë e Jashtme dhe m’u tha se nuk mund të shkoja se nuk është e sigurt. Gjithë ditën ishte dilema se a të shkonim a jo. Ne shkuam të hënën, do të thotë paradite dhe shkuam duke na siguruar Policia e Kosovës. Gjithë ajo kohë paraqet stres dhe frikë. Unë kam një fëmijë me autizëm që ka qenë aty, nuk e di a e dini çfarë do të thotë kjo”, tha ai.
Deri tani, të arrestuar dhe nën masën e paraburgimit për këtë rast janë Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, për të cilët është veçuar procedura penale.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.
Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç‘rast ka mbetur i vrarë rreshterii Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. /KP/

