Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka kërkuar nga Zvicra vazhdimin e mbështetjes për fuqizimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe për procesin e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.
Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimit Shiroka Pula ka vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, duke e falënderuar Cassis për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit zviceran.
Ajo ka theksuar rëndësinë e thellimit të mëtejmë të marrëdhënieve ekonomike, rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe shtimit të investimeve zvicerane në Kosovë.
“Presidentja theksoi gjithashtu nevojën për vazhdimin e mbështetjes së Zvicrës në fuqizimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe në procesin e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare. Në këtë kontekst, Presidentja Shiroka Pula theksoi rëndësinë e mërgatës shqiptare, e cila kontribuon aktivisht në Zvicër dhe përbën një urë të fuqishme lidhëse ndërmjet dy shteteve. Ajo shprehu mirënjohjen për angazhimin e kontingjentit zviceran të KFOR-it në Kosovë që nga viti 1999. Nga ana e tij, ministri Cassis rikonfirmoi se Zvicra do të vazhdojë të jetë përkrah Kosovës edhe në të ardhmen, duke shprehur mbështetjen e tij edhe për Presidenten Shiroka Pula.”, thuhet në njoftim.

